Shpjegimet zyrtare për dyshimet për ngacmim seksual në një shkollë të Prishtinës

Në një video të publikuar nga Syri.net, pretendohet se në oborrin e një shkolle në kryeqytet ka ndodhur një rast i sulmit seksual në mes të nxënësve (Të mitur).

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e shkollës, (Për ta parandaluar identifikimin e mundshëm të fëmijëve, emri i drejtoreshës së shkollës nuk publikohet), dhe e njëjta nuk ka pranuar të komentojë rreth rastit.

E njëjta po ashtu ka njoftuar se do të kërkojë nga mediat të largojnë videon për shkak të dukurisë së bullizmit ndaj fëmijëve të përfshirë në këtë rast.

Po ashtu KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Policinë e Kosovës dhe të njëjtit deri në publikimin e këtij lajmi nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Shpresa Shala, dhe e njëjta ka thënë se rasti ka ndodhur jashtë procesit mësimor kur shkolla sipas saj nuk është përgjegjëse.

Sipas saj, nuk ka ngjarje të sulmit seksual dhe se e tëra është një ‘lojë fëmijësh’.

“Ngjarja ka ndodhur të shtunën, rastin e ka trajtuar shkolla. Të shtunën fëmijët kanë qenë duke luajtur në oborrin e shkollës. Unë s’kam pa ndonjë inçizim. Sipas drejtorisë nuk ka të bëjë as me sulm seksual, as me kurgjo. Nuk është ditë e mësimit, por është ditë e shtunë”, ka thënë drejtoresha e DKA-së Shala.

“Shkolla ………….. është e hapur në të gjitha anët dhe gjatë vikendit përgjegjësia mbetet te prindërit dhe jo te shkolla. Nuk është kurrkush në shkollë dhe s’ka si me qenë përgjegjëse. Shkolla i ka marrë masat që i ka të përcaktuara me ligj, e ka thirr policinë e komunitetit dhe prindin dhe pasi e ka marrë informatën në mënyrë anonime e ka trajtuar rastin. Nuk kam kompetencë me dhënë këtë informatë [në pyetjen se a janë nxënës të shkollës]. Rasti është trajtuar edhe me psikologun e shkollës, janë marrë të gjitha masat edhe pse ngjarja ka ndodhur jashtë orarit të mësimit dhe në ditë të vikendit. Në jemi në proces edhe pse kemi pasur kundërshtime nga banorët për mbylljen e oborrit të shkollës pikërisht për shkak të kësaj ngjarjeje. Është joligjore me bullirat fëmijën tash dhe ju me publikim mund ta dërgoni fëmijën në vetëvrasje”, është deklaruar Shala.