Skandal: Prokuroria nis përndjekjen e sinjalizuesve të rastit të Morena Tarakut

Prokuroria e Prishtinës ka nisur gjuetinë e shtrigave ndaj njerëzve të cilët zbuluan skandalin e lirimit nga përgjegjësia për shmangie tatimore të Morena Tarakut me rastin e importimit të një veture.

KALLXO.com raportoi para disa ditësh për rastin kur me urdhër të Prokurorisë së Prishtinës rasti ishte mbyllur duke konstatuar se gjatë importit nuk ishte kryer shmangie tatimore edhe përkundër që Dogana e kishte konstatuar një gjë të tillë.

KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës e cila mbylli rastin, ka nisur hetime penale për zyrtarët brenda Doganës e Policisë së Kosovës të cilët kishin qasje në dosjen e lëndës për të zbuluar se si u publikua në media ky skandal.

Prokurori i rastit Shpend Krasniqi i ka thënë KALLXO.com se rasti është nën hetime dhe nuk mund të japin informacione të tjera.

“Rastit është nënë hetime, nuk jap informacione” ka thënë Krasniqi.

Ligji për sinjalizuesit garanton mbrojtje për të gjithë zyrtarët shtetërorë të cilët, me qëllim interesin e publikut, zbulojnë të dhëna rreth pretendimeve për abuzim me detyrën.

Ky ligj iu ofron mbrojtje nga të gjitha format e përndjekjes ndaj atyre që për interes publik shpalosin informacion i cili vë në dukje se është duke ndodhur apo ka gjasë të ndodhë ndonjë keqpërdorim.

Neni 6 i Ligjit për Sinjalizuesit pengon çfarëdo forme të pengimit të sinjalizimit.

“Çdo veprim ose mosveprim që synon pengimin e raportimit apo shpalosjes në interes publik, është i pavlefshëm dhe zyrtari përgjegjës apo cilido person tjetër në rastet përkatëse ndiqet penalisht sipas dispozitave penale në fuqi në Kosovë”- përcaktohet në Ligjin për Sinjalizuesit.

Për më tepër, hakmarrja ndaj Sinjalizuesve është edhe vepër penale e paraparë me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

I pyetur nëse prokurori e ka lexuar këtë ligj dhe është duke e trajtuar rastin konform këtij ligji, prokurori Krasniqi nuk ka dhënë detaje.

“Nuk mund të flasë” është përgjigja e tij në pyetjen nëse e ka lexuar ligjin për sinjalizuesit.

KALLXO.com ka tentuar të flasë me Kryeprokurorin Aleksandër Lumezi për të marrë një qëndrim rreth vendimit të prokurorisë së shtetit për të përndjekur sinjalizuesit, por kontakti me të ka qenë i pamundur.

KALLXO.com mëson se disa nga ambasadat e akredituara në Kosovë janë angazhuar për të përcjellë nga afër veprimet e Prokurorisë së Prishtinës.

Prokuroria e Prishtinës ndodhet në një situatë të konfliktit të interesit për shkak se vendimet për mbylljen e këtij rasti janë kryer nga prokurorë dhe menaxher të kësaj prokurorie.

Me një shkresë të veçantë pas publikimit të rastit, KALLXO.com i ka kërkuar Prokurorisë Speciale të hetojë për motivet që e shtynë Prokurorinë e Prishtinës të mbyllte rastin e Morena Tarakut. Gjatë ditës, as Ushtruesi i Detyrës i Kryeprokurorit Special, Afrim Shefkiu, nuk ka dhënë detaje për trajtimin e kësaj shkrese.

Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në një prononcim për KALLXO.com nuk ka dashur të komentojë rastin duke thënë se KPK është organi i cili merret me rastet e pretendimeve disiplinore.

KALLXO.com ka tentuar të marrë një përgjigje nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Prishtinës, Kujtim Munishi, por ai nuk është përgjigjur në telefonatat e ekipit të KALLXO.com

Historia e ngjarjes

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka vendosur që të mos e ndjekë penalisht Morena Tarakun, përkundër se Dogana e Kosovës ka vlerësuar se e njëjta ka tentuar t’i shmanget pagesës së taksës doganore në vlerë prej 14 mijë e 118 euro.

KALLXO.com e ka siguruar dokumentin e Doganës së Kosovës që konstaton se Morena Taraku ka deklaruar një veturë të re të tipit Bentley në vlerë prej 235 mijë euro. Veturat e reja, bazuar në kodin doganor, nuk i nënshtrohen pagesës së taksës doganore.

Por, Dogana ka konstatuar se vetura në fjalë kishte 2,194 kilometra të kaluara dhe kishte regjistrim të rregullt në Gjermani të bërë me datën 22.07.2019, prandaj për zhdoganimin e saj duhet të paguhet edhe tarifa doganore.

Vetura regjistrimin e parë e ka pasur në emër të Kompanisë ‘KLT Logistik GmbH’, që përfaqësohet nga një kosovar, ndërsa me datë 7 tetor të këtij viti ka dalë në emër të BK.

“Duke u bazuar në dokumentacionin përcjellës dhe me njoftimin e zyrtarit të pranimit qendror është konstatuar se automjeti është i përdorur, pra konform Këshillës ligjore të bashkangjitur si dhe librezës së saj, vetura nuk e gëzon trajtimin si veturë e re”, thuhet në një email të Drejtorisë së Doganës së Kosovës.

Dogana e Kosovës ka vlerësuar se pronarja e kësaj veture duhet të obligohet që të paguajë edhe 14 mijë e 118 euro taksë doganore, që ajo kishte tentuar t’i shmanget.

“Nga ana e Doganës konsiderohet se vetura është e përdoruar me ç’rast është bërë përmirësimi i DUD-it dhe si i tillë i nënshtrohet pagesës së taksave doganore në vlerë prej 57,416 euro, e jo 43,298 euro siç është deklaruar nga ana e Agjentit Doganor, pra kemi të bëjmë me ndryshim prej 14,118 euro që konsiderohet se është shmangie nga pagesa e tarifave doganore”- thuhet në shkresën e Doganës së Kosovës të cilat i ka siguruar KALLXO.com.

Rasti është konfirmuar edhe nga zyra për informim e Doganës së Kosovës.

“Duke iu referuar rastit të trajtuar nga ju, ju informojmë se kjo veturë është deklaruar si e re, por duke u bazuar në dokumentacionin është konstatuar se automjeti është i përdorur dhe se vetura nuk e gëzon trajtimin si veturë e re. Vetura në procedurë regjistrimin e parë e ka me datë 22.07.2019 (mbi dy muaj nga tani)”, thuhet në përgjigjen e Adriatik Stavilecit.

Ai ka thënë se rasti është dërguar në prokurori.

“Pasi importuesi nuk deklaron saktë numrin tarifor dhe automjeti është i përdorur, nën dyshimin për pagesë më të ulët të detyrimeve doganore dhe vlera e detyrimeve doganore e tejkalon shumën 5,000 euro, rasti për shkak të deklarimit të pasaktë të dhe shmangies së konstatuar mbi 5,000 euro është referuar në Prokurori nga Sektori i Hetimeve të DK-së”, thuhet ne përgjigjet e Doganës drejtuar KALLXO.com.

KALLXO.com ka mësuar se zyrtarët e Doganës së Kosovës janë takuar me UD. Kryeprokurorin e Prokurorisë, Kujtim Munishi. Ky i fundit i ka udhëzuar zyrtarët e Doganës që të vlerësojnë veturën si të re.

Përkundër kësaj, Dogana e Kosovës i është drejtuar edhe njëherë UD kryeprokurorit Kujtim Munishi duke ia bashkangjitur të gjitha dokumentet për lëndën në fjalë dhe kanë kërkuar një vendim me shkrim nga Prokuroria e Shtetit.

Pas kësaj shkrese, Prokuroria Themelore e Prishtinës e ka konfirmuar edhe me shkrim se vetura e importuar në emër të Morena Tarakut duhet të trajtohet si e re.

Në autorizim thuhet se ‘pas konsultimit mes prokurorit Shpend Krasniqit, UD Kryeprokurorit Kujtim Munishi dhe Prokurorit tjetër Bashkim Zeqaj ku kanë qenë të pranishëm edhe dy hetuesit doganorë, kanë marrë vendim se vetura e Morena Tarakut është regjistruar më 22 korrik të këtij viti në emër të KLT LOGISTICS dhe në bazë të shikimit të librezës regjistrimi është një ditor po ashtu’.

Tutje, në po të njëjtin autorizim, thuhet se bartjen e veturës nga Gjermania në Kosovë e ka bërë B.Kelmendi, i cili ka qenë me autorizim.

Prokuroria Themelore e Prishtinës ka thënë se Dogana e Kosovës nuk ka ndonjë dëshmi se vetura ka qenë në qarkullim që nga koha kur është regjistruar për herë të parë e deri në kohën e eksportit në Kosovë.

Prokuroria i ka sugjeruar që Dogana e Kosovës t’i drejtohet autoriteve doganore në Gjermani për tu siguruar nëse vetura ka qenë në qarkullim.

“Autorizoheni (drejtuar Doganës së Kosovës)  që për të hequr çdo dilemë rreth asaj se vetura në fjalë a duhet të trajtohet si e re apo si e përdorur t’i drejtoheni autoriteteve doganore të Gjermanisë që të konfirmojmë regjistrimin e datës 22 korrik se a është regjistrim vetëm një ditor për çështje procedurale apo vetura është lëshuar në qarkullim të lirë dhe është përdorur në Gjermani nga kjo datë”- thuhet në autorizimin e siguruar nga KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar sqarime në lidhje me këtë autorizim edhe nga UD Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi.

I njëjti ka thënë nuk është në dijeni rreth rastit të veturës së Morena Tarakut.

“Jo nuk di asgjë për rastin, nuk e di ka i keni marrë ju këto informacione por informacionet janë të pasakta”- ka thënë Munishi, për të cilin prokurori i po të njëjtës prokurori të cilën e drejton ky i fundit, ka treguar në autorizim se për rastin është konsultuar edhe Munishi.

Në lidhje me këtë rast, KALLXO.com ka tentuar të flas edhe me vetë Morena Tarakun por kontakti me të ka qenë i pamundur.

Skandaloze, Prokuroria e mbyll dosjen e Morena Tarakut për veturën e 235 mijë eurove