QKUK - Foto: Atdhe Mulla

Skandal në Klinikën e Pulmologjisë: Kufoma qëndron rreth 7 orë në dhomën me pacientë

Një kufomë ka qëndruar për orë të tëra në një dhomë përplot pacientë në Klinikën e Pulomologjisë në QKUK.

Një qytetar ka publikuar foto të kufomës, e cila është e mbështjellë me plastmas. Në dhomë, sipas fotos, ka disa pacientë.

Nesim Maxhuni, i cili kishte në të njëjtën dhomë një familjar, ka thënë për KALLXO.com se kufoma ka qëndruar aty rreth 7 orë.

“Kufomën tani e larguan, tek pas 7 orëve, pas reagimit tim. Në të njëjtën dhomë është e shtruar edhe nëna ime, ndërsa nuk e di se a ka qenë e infektuar me COVID-19 kufoma”, ka thënë Maxhuni.

KALLXO.com ka provuar të marrë një përgjigje prej drejtoreshës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, por e njëjta nuk është përgjigjur në telefon deri në momentin e publikimit të këtij raporti.