Skandal në Gjilan: Polici i dënuar për vepër prostitucioni kthehet në punë
I dënuar nga gjykata e shkallës së parë për veprën penale të mundësimit të prostitucionit polici nga Gjilani F.Sh. është kthyer në punë me vendim të zyrtarëve të Policisë së Kosovës.
F.Sh. është i dënuar nga shkalla e parë me akuzën se se në një qendër masazhi në Gjilan kishte mundësuar prostitucion për klientët e qendrës.
I njëjti ka qenë i suspenduar sipas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës deri në janar të këtij viti kur edhe ka shkuar vendimi nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj për ndërprerjen e suspendimit ndaj të njëjtit polic.
Sipas sqarimit të Stacionit Policor në Gjilan që i ka dhënë KALLXO.com, suspendimi është ndërprerë pas pranimit të njoftimit nga IPK se ndaj zyrtarit policor kanë pushuar hetimet për çka edhe është suspenduar.
“Me datë 28.01.2020 zyrtarit policor me vendim të Drejtorit të Përgjithshëm të PK- së i është ndërprerë suspendimi i përkohshëm, pas pranimit të njoftimit nga Inspektorati Policor i Kosovës se kanë pushuar hetimet për të cilat punonjësi është suspenduar dhe se ndërprerja e suspendimit nuk paraqet pengesë për IPK- në dhe po ashtu pas vlerësimit të Drejtorisë së Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të së kaluarës që ti ndërprehet suspendimi i përkohshëm zyrtarit në fjalë pasi që në këtë fazë nuk paraqet pengesë në aspektin e hetimit disiplinor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Rajonit të Gjilanit për KALLXO.com.
KALLXO.com ka zbuluar se njoftimi i IPK-së kishte të bënte vetëm me procedurën formale të njoftimit e cila kryhet pas ngritjes së aktakuzës ku IPK njofton policinë që suspendimi duhet të ndërpritet ndërsa menjëherë pas këtij veprimi policia duhet të nisë procedurat e sanksioneve disiplinore ku mund të shqiptohet masa e largimit nga puna ose suspendimit.
“Pasi që ka përfunduar procesi hetimor, IPK ka njoftuar Policinë e Kosovës për përfundimin e hetimeve penale dhe ndaj të njëjtit të zhvillohet një procedurë administrative – disiplinore”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.
Deri në publikimin e këtij shkrimi, Policia e Kosovës respektivisht, Departamenti i Standarteve Profesionale nuk ka kthyer përgjigje se pse nuk ka nisur procedurat disiplinore për këtë zyrtar.
Historia e policit
KALLXO.com ka siguruar katër aktakuzat të cilat rëndojnë mbi zyrtarin policor të Njësisë Reaguese të Stacionit Policor në Gjilan.
Një muaj para se të ngritet aktakuza për të njëjtin zyrtar policor, saktësisht më 1 nëntor 2019 rreth orës 22 në një kafeteri të Gjilanit, polici F.Sh dyshohet se kishte kanosur një person, ky i fundit dëshmitar të një rast tjetër ndaj policit.
Aktakuza e ngritur më 9 dhjetor të vitit të kaluar, përshkruan se polici në hyrje të kafeterisë kishte ndaluar një person tjetër duke i përmendur emrin dhe duke e kërcënuar se pasi që ka dëshmuar në një rast tjetër i ka shkaktuar vetës probleme.
“Unë jam (F.Sh), ti ke qenë dëshmitar kundër meje në rastin e …., a e din se e ke shti therrën në këmbë të shëndoshë ka me ju q* r*** në p*** ty dhe ….., kam me ju ngreh zhag dhe më pas e ka prekur me dorë në krah dhe i ka thënë hajt se kem me pa”, është përshkrimi i prokurorisë për ngjarjen e 1 nëntorit të vitit të kaluar.
Për këtë rast në dëshminë e dhënë në prokurori, polici kishte thënë se pasi kishte shkuar në kafeterinë në Gjilan personi e kishte shikuar dhe policit i ishte kujtuar se kush është dhe pas shkëmbimit të disa fjalëve polici e kishte pranuar se i kishte thënë të dëmtuarit se “kjo punë nuk përfundon me kaq, duke menduar për rrugët ligjore dhe duke mohuar se e ka kërcënuar.
Prokuroria në dosjen e saj ka thënë se me këto fjalë polici e ka frikësuar personin tjetër duke i shkaktuar ankth dhe me këtë rast polici ka kryer veprën penale kanosje.
Një aktakuzë para saj është edhe ajo e 21 shtatorit të vitit 2018. Vetëm në vitin 2018 ndaj të njëjtit zyrtar policor janë ngritur dy aktakuza nga ana e Prokurorisë Themelore në Gjilan.
Polici F.Sh. sipas prokurorisë akuzohej për shmangie tatimi dhe mundësim prostitucioni.
Në aktakuzën për shmangie tatimi thuhet se në periudhën kohore nga 4 qershor 2018 me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo personin tjetër, në cilësinë e të autorizuarit nga pronari i një lokali të masazhës në Gjilan, polici nuk kishte deklaruar në Administratën Tatimore të Kosovës qarkullimin real që ka pasur në kuadër të aktivitetit të vet, duke fshehur një pagesë të tatimit, pagesë të kontributeve të tjera ku buxhetit të Kosovës i ka shkaktuar dëm në vlerë të 2 mijë e 128 eurove.
Një muaj pas ngritjes së aktakuzës për shmangie tatimi në lidhje me qendrën e masazhit në Gjilan, polici akuzohet edhe për mundësim prostitucioni në po të njëjtën qendër masazhi.
Në aktakuzën e siguruar nga KALLXO.com thuhet se nga fillimi i muajit dhejtor të vitit 2017 deri më 8 qershor 2018 rreth orës 21:35 në Gjilan në qendrën e masazhit ku përgjegjës- menaxher ishte polici F.Sh., gjatë zbatimit të masave të fshehta është vërtetuar se të pandehurit F.Sh. dhe një gruaje tjetër në mënyrë të vazhdueshme kanë rekrutuar, ndihmuar dhe kontrolluar 2 vajza dhe një të mitur për qëllime të prostitucionit.
Tutje në aktakuzë thuhet se të dëmtuarat përveç që kanë kryer punë të masazhës të njëjtat kanë ofruar shërbime seksuale me pagesë për klientë.
Rasti i policit është kthyer në rigjykim për këto akuza.
Në lidhje me këtë rast pati raportuar edhe KALLXO.com.
VIDEO – Arrestimi i zyrtarit policor që dyshohet për prostitucion
Aktakuza e katërt e cila rëndon mbi policin F.Sh. dhe i cili pas vendimit për dënimin me gjobë është dërguar në Gjykatë të Apelit është për veprën penale keqtrajtim gjatë detyrës zyrtare.
Vendimi nga ana e Apelit ende nuk është marrë.
Sipas aktakuzës, polici F.Sh. më datë 20 qershor 2014 rreth orës 18 në Gjilan i kishte shqiptuar një gjobë të dëmtuarit dhe ky i fundit sipas përshkrimit të prokurorisë, nuk ishte bindur urdhrave policor dhe ishte prangosur nga ana e policisë.
Aktakuza shpjegon se gjatë transportimit të të dëmtuarit në stacionin policor, F.Sh. kishte përdorur forcë ndaj të dëmtuarit të cilin edhe pse i prangosur e kishte goditur disa herë në pjesë të ndryshme të trupit dhe në pjesën e pasme të kokës duke i shkaktuar të njëjtit lëndime të lehta trupore.
Në aktakuzë thuhet edhe se pasi që i dëmtuari (i prangosur për shkak të mosbindjes së urdhrave policor) ishte intervistuar nga policia kishte kërkuar që të dërgohej për mjekim por që një gjë të tillë nuk ia kishin ofruar.