S'ka ritestim të kandidatëve për doktoratë

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me shumicë absolute ka marrë vendim që të anulojë vendimin për ritestim të kandidatëve për studime të doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë dhe atw tw Ekonomikut.

Senatorët vendosen që të zbatohet pjesërisht rekomandimi i Inspektoratit të Arsimit që kishte kërkuar nga Senati që të anulohet ky ritestim.

Për këtë çështje votuan mbi 20 senatorë, asnjë kundër dhe 8 abstenuan.

Pas këtij vendimi, testi që ishte paraparë të mbahet nesër, nuk do të mbahet.

Senati po ashtu mori vendim që Fakulteti i Mjekësisë dhe Ekonomikut deri të hënën, të rishqyrtojnë ankesat e kandidatëve dhe ta dorëzojnë listën preliminare të kandidatëve në Këshillin Qendror të Doktoratës. Ndërsa, ky i fundit do ketë kohë deri më 30 prill që t’i trajtojë listat e dorëzuara nga fakultet.

Historiku

Sot, Inspektorati i Arsimit ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që të anulojë vendimin për ritestim të kandidatëve të doktoratës të Fakultetit Ekonomik dhe Mjekësisë.

Senati i Universitetit të Prishtinës në mbledhjen e mbajtur më 12 prill kishte vendosur që të përsëritet provimi pranues për kandidatët e doktoratës në Fakultetin e Mjekësisë dhe në Fakultetin Ekonomik.

Këta të fundit ditë më parë kanë protestuar për tri herë radhazi dhe kanë deklaruar se nuk do të pranojnë që të ritestohen.

Po ashtu Senati në këtë mbledhje ka miratuar edhe një udhëzues sqarues në lidhje me mbajtjen e këtij testi.

Konkursi për pranimin e studentëve në studimet e doktoratës ishin hapur më 22 tetor të vitit të kaluar. Ky konkurs ishte hapur në pothuajse të gjitha fakultetet, por se Senati ka kërkuar ritestim vetëm për Fakultetet e Mjekësisë dhe atë Ekonomik.

Senati i UP-së kishte kërkuar ritestim të këtyre studentëve për disa arsye, e ndër to ishte edhe konflikti i interesit, për të cilën kishin dërguar edhe interpretim në Agjencionin Kundër Korrupsion.

Ndërsa, Avokati i Popullit kishte dhënë një opinion se UP-ja është vonuar në adresim tek Agjencioni Kundër Korrupsion për konflikt të mundshëm të interesit sa i përket kandidatëve.

Inspektorati i Arsimit kërkon anulimin e ritestimit të studentëve të doktoratës