Teatri i Gjakovës "Hadi Shehu"

S'ka ngrohje, s'ka shfaqje në Teatrin e Gjakovës

Aktori Avni Shkodra ka anuluar shfaqjen e Stand Up komedisë në Teatrin e Gjakovës “Hadi Shehu” si pasojë e mungesës së ngrohjeve në hapësirën e teatrit.

Shkodra përmes një shkrimi në Facebook i është drejtuar kryetarit të komunës së Gjakovës, Adrian Gjinit duke i thënë se arsyeja pse e ka anuluar këtë shfaqje e cila do shfaqej të shtunën është mungesa e ngrohjes.

“Unë e anulova shfaqjen, meqë në teatrin tuaj nuk paska ngrohje, njësoj sikur në Kaçanik e Viti. Shpresoj të punoni në këtë drejtim, sepse ngrohja e mjedisit është diçka për të cilin s’do të duhej të diskutonim”, ka shkruar Shkodra.

Drejtori i Teatrit të Gjakovës Edi Kastrati tha për KALLXO.com se arsyet pse është anuluar kjo shfaqje është mungesa e ngrohjes në Teatër, por edhe për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Teatri është i lidhur me ngrohtoren e qytetit. Momentalisht ngrohtorja ka probleme në gjithë qytetin përfshirë edhe teatrin. Ne kemi folur me Avniun edhe vendosëm ta anulojmë shfaqjen e planifikuar për të shtunën e ta shtyjmë për ndonjë datë tjetër. Por përpos kësaj presim edhe deri sa të lirohen masat e pandemisë”, tha Kastrati.