Foto: Mirosllav Lajçak/Twitter

S'ka marrëveshje për targat mes Kosovës dhe Serbisë

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak ka njoftuar se nuk është arritur marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë për targat.

Ai në Twitter ka thënë se në takimin e sotëm në mes kryenegociatorëve ka pasur përparim në çështje të tjera, përfshirë këtu energjinë.

“Sapo përfunduan takimet e sotme të kryenegociatorëve në Bruksel. Rezultatet janë të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por ne kemi bërë përparim në çështjet e tjera duke përfshirë energjinë. Puna do të vazhdojë”, është shprehur Lajçak.

Marrëveshja e përkohshme e targave ka përfunduar më 21 prill. Edhe pse u mbajtën disa takime për të arritur një marrëveshje përfundimtare para 21 prillit, përpjekjet nuk patën rezultat.

Edhe përkundër që marrëveshja e përkohshme për targat ka skaduar më 21 prill, edhe përtej kësaj date, veturat kanë vazhduar të vendosin letrat ngjitëse bazuar në marrëveshjen e përkohshme e cila ishte arritur në tetor mes kryenegociatorëve në Bruksel.

Më 4 maj, një darkë joformale mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb Aleksandar Vuçiq, dhe të ngarkuarit të BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak është mbajtur në periferi të Berlinit.

Pas këtij takimi, Lajçak në Tëitter kishte shkruar se më 13 maj do të ketë takim me kryenegociatorëve në Bruksel.