S’ka kuorum për debat për shtrenjtimin e rrymës, PDK dhe LDK lëshojnë seancën

Deputetët e partive opozitare, PDK dhe LDK kanë lëshuar sallën e seancës pasi nuk ka pasur kuorum për ta futur në rend dite si mocion procedural për debat parlamentar, vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji për shtrejtimin e energjisë elektrike.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar që të futet si pikë e rendit të ditës vendimi i ZRrE-së.

“Ne kërkojmë që të kemi një mocion procedural, për një pikë ku do të debatojmë urgjentisht për vendimin e këtij organi të Kuvendit të Republikës së Kosovës  apo më mirë të themi instrumentin e kryeministrit Albin Kurti, që sapo mori një vendim që e rëndon gjendjen në Kosovë”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas këtij propozimi, kjo çështje do të vendoset si pikë e parë dhe pastaj të dilej me rezolutë të përbashkët për revokimin e vendimit të ZRrE-së.

Armend Zemaj nga LDK-ja ka thënë se për çështje urgjente mund të ketë mocion në çdo kohë.

“E rëndësishme që kjo çështje të trajtohet menjëherë. Kuvendi duhet të ndërmarrë iniciativë dhe të vijë me rekomandime të sakta”, ka thënë ai.

Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, tha se këto grupe parlamentare nuk kanë dërgu komente për propozimin e ZRrE-së sa ka qenë i hapur afati.

“Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka hapur periudhën e konsultimeve e cila ka qenë e hapur për dy jave dhe asnjëri as tjetri grup në procedure të konsultimeve nuk kanë dërguar në rrugë zyrtare siç e parasheh ligji komentet e tyre në raport me propozimet e ZRrE-së”, ka thënë ajo.

Besnik Tahiri nga grupi parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se kjo parti e mbështet mocionin e PDK-së.

“Ne si grup parlamentar e mbështesim edhe debatin edhe miratimin e një rezolute që një organi të pavarur të vendit të Kuvendit i kërkojmë revokimin e këtij vendimi që është në dëm te Kosovës”, ka thënë ai.

Ndërsa ka shtuar se GP i AAK-së me kohë e ka dërgua komentin edhe email të ZRrE dhe ka dhanë sugjerime çka me bë në këtë temë.

Zyra e Rregullatorit ka vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovat është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.

Po ashtu, bordi i ZRrE-së ka vendosur që blloqet do të vlejnë vetëm për konsumatorët shtëpiakë ndërsa për ata komercialë (bizneset) nuk do të ketë.

Kryetari i bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu deklaroi se 80% e konsumatorëve janë që shpenzojnë nën 800 kilovat energji elektrike në muaj.

Tarifat e reja do të hyjnë në fuqi që nga nesër, më 9 shkurt 2022.