S'ka kuorum në Komisionin për Punë të Jashtme, dështon intervistimi i kandidatëve për ambasadorë

Kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës, Haki Abazi, ka akuzuar opozitën e këtij komisioni, përkatësisht deputet Ariana Shoshi-Musliu dhe Time Kadriaj për sabotim të procesit të caktimit të ambasadorëve.

Sipas Abazit, sot komisioni ka pasur për detyrë të bëjë intervistimin e kandidatëve për ambasadorë.

“Ariana Shoshi nga PDK  dhe Time Kadriaj nga AAK kanë nënshkruar në fletë prezencën dhe kanë lëshuar takimin duke e bërë të pamundur zhvillimin e dëgjimit të kandidatëve dhe rrjedhimisht dëgjimi shtyhet për nje datë tjetër. Ky veprim është sabotim i procesit të caktimit të ambasadorëve”, ka shkruar Abazi në facebook.

Në këtë mbledhje, përveç Abazit kanë qenë të pranishëm edhe Adelina Grainca (LVV), Bahrim Shabani (VAKAT), Dimal Basha (LVV), Fitore Pacolli (LVV), mirëpo për t’u mbajtur mbledhja duhet të jenë së paku 6 anëtarë të pranishëm.

Time Kadriaj, anëtare e Komisionit nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), në një prononcim për KALLXO.com ka thënë që sigurimi i numrave është detyrë e pozitës, dhe opozita nuk do t’ia bëjë kuorumin.

“Përderisa kryetari i komisionit nuk ka arritur që t’i bindë deputetët e pozitës që të vijnë për intervistim të kandidatëve ka qenë tepër e padrejtë që ne si opozitë me u bo pjesë e kësaj maskarade dhe me u bo pjesë e dështimit të politikës së jashtme dhe kjo ka qenë arsyeja që ne nuk kemi marrë pjesë në intervisitim”, tha ajo.

Kadriaj ka kritikuar Abazin për shkak të publikimit të njoftimit për dështimin e kësaj mbledhje, pasi që sipas saj kjo ka qenë konfidenciale.

“Kryetari i Komisionit ka gabuar sepse çështja e intervistimit është konfidenciale, dhe çështja e emrave, mbajtja e komisionit nuk ka qenë e lajmëruar dhe vet kryetari i komisionit e paska prishur konfidencialitetin”, tha ajo.

Kadriaj tha që AAK do të jetë pjesë e procesit, por me kushtin që pozita t’i sigurojë numrat.

“Ne jemi të interesuar të shohim kredibilitetin e kandidatëve për ambasadorë, por në kushte që pozita t’i ketë numrat”, tha ajo.

Edhe, Ariana Musliu- Shoshi, anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin për Punë të Jashtme në një prononcim për KALLXO.com ka kritikuar Abazin për publikimin e njoftimit.

“Mbledhja është konfidenciale dhe kryetari i komisionit nuk është dashur që ta bëjë publike një gjë të tillë, këtu është një keqpërdorim i kompetencave”, tha ajo.

“Nuk është detyrë e jona që ta bëjmë kuorumin për mbajtjen e kësaj mbledhje, dhe krejt në fund nuk kemi nevojë të marrim përgjegjësi për këtë dështim të politikës së jashtme që është duke u bërë çdo ditë e më shumë”, shtoi ajo.

Sipas Musliut është detyrë e Abazit që t’i bindë deputetët të marrin pjesë në mbledhje.

“Z. Abazi duhet t’i bindë së pari deputetët e vet që të vijnë në mbledhje të komisionit, dhe pastaj ne vijmë dhe jemi pjesë e procesit, mirëpo nuk është detyrë e jona që ta bëjmë kuorumin”, tha ajo.

Në maj të këtij viti, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, kishte kërkuar nga presidentja e vendit që t’i lirojë nga detyra 12 ambasadorë politik.

Ambasadorët e shkarkuar kanë shërbyer në: Gjermani, Shqipëri, Çeki, Holandë, Hungari, Kroaci, Slloveni, Maqedoni e Veriut, Australi, Mali i Zi, Emiratet e Bashkuara Arabe si dhe në Katar.