S'ka koalicion parazgjedhor në mes të LVV-së, Partisë Guxo dhe Alternativës, por vazhdojnë bashkë ...

Lëvizja Vetëvendosje!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa kanë bërë të ditur përmes një komunikate të përbashkët se nuk kanë arritur që ta procedojnë zyrtarisht në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), koalicionin parazgjedhor mes tyre.

Shkas për këtë, sipas komunikatës, është bërë afati i shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare.

“Jemi dhe do të jemi bashkë edhe në procesin e ardhshëm zgjedhor. Duke u bazuar në partneritetin e mirë dhe të shëndoshë në mes partnerëve të koalicionit, Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Partisë Guxo dhe Partisë Alternativa, njoftojmë opinionin e gjerë, anëtarësinë tonë, mbështetësit tanë se koalicioni ynë formal i dëshiruar nga të tri partitë tona, nuk ka mundur të procedohet sot formalisht në KQZ, për shkak të afatit të shkurtër ligjor dhe pamundësisë së përmbushjes së disa detyrimeve statutare”- thuhet në komunikatë.

Po sipas komunikatës, tri partitë, janë duke punuar intensivisht në hartimin e programit, me të cilin do të shpalosin së bashku ofertën e tyre në zgjedhjet e rregullta parlamentare që mbahen më 9 shkurt 2025.

“Së bashku synojmë që me votën e qytetarëve të vazhdojmë partneritetin në qeverisjen e ardhshme si dhe punët e mira për Republikën e Kosovës”- thuhet në komunikatë.

Sot, më 30.08.2024, ishte afati i fundit që partitë të regjistronin koalicione parazgjedhore mes tyre.

Lëvizje VETËVENDOSJA!, Partia Guxo dhe Partia Alternativa edhe gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 kanë garuar me një listë të përbashkët.

Në mbledhjen e mbajtur më 28.08.2024, KQZ njoftoi se ka pranuar deklarimin e një koalicioni ndërmjet dy partive politike të regjistruara: Partia Demokratike e Unitetit dhe Iniciativa Balli.

Sipas Ligjit për  Zgjedhjet e Përgjithshme, partitë politike të regjistruara në Kosovë, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që më së largu deri më 30 gusht 2024 (16:00) ta njoftojnë KQZ-në, specifikisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike.

Zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovës do të mbahen më 9 shkurt 2025.