S'ka inspektorë të punës në ditën e pavarësisë

Shumë kompani dhe biznese private kanë zhvilluar aktivitetet e tyre edhe për 17 shkurt, ditën e Pavarësisë së Kosovës, e cila është festë zyrtare dhe njihet si ditë pushimi.

Sipas Ligjit të Punës në Kosovë, nëse një punëtor punon në një ditë të festës zyrtare, atëherë ai merrë pagë shtesë në përqindje të pagës bazë, ku llogaritet 50% në orë, për punë gjatë ditëve të festave zyrtare.

Ushtruesi i Detyrës së Kryeinspektorit të Punës, Valon Leci, në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ligjërisht kompanitë apo bizneset kanë të drejtë me punu edhe në festë zyrtare, por që duhet të kompensohen punëtorët me pagë shtesë, mbi pagën bazë.

Ai ka thënë se nuk ka pasur inspektime këtë ditë, pasi edhe inspektorët janë punëtorë dhe e kanë pasë ditë pushimi.

“Kanë të drejtë ligjërisht për me punu. Nuk ka pasë inspektime, sepse edhe inspektorët janë punëtorë dhe e kanë pasë pushim. Ligjërisht kanë të drejtë, pasi Ligji i Punës thotë se punëdhënësi duhet më iu pagu punëtorëve shtesë mbi pagën bazë. Ligjërisht nuk ka asnjë akt juridik që ua ndalon me punu”, ka thënë Leci.

Ai poashtu ka thënë se Inepktoriati i Punës janë të hapur për ankesa, nëse punëdhënësi nuk ia paguan ndonjë punëtori shtesën që i takon sipas Ligjit.

“Tash nëse ka ankesë që dikush nuk iu paguan, atëherë ne jemi të hapur dhe menjëherë e zhvillojmë inspektimin, për me e pa qysh ka hecë puna. Deri më tash nuk kemi pasë ndonjë ankesë. Ne do të jemi të kujdesshëm për këtë ditë”, ka thënë Leci në përgjigjen e tij.

Në komunën e Prishtinës ka filluar diskutimi që dita e diel të jetë ditë pushimi edhe për bizneset private. Një gjë të tillë disa komuna kanë filluar ta praktikojnë.

Komuna e Vushtrrisë planifikon të dielën pushim për bizneset