S’ka ekspert të telekomunikacionit, s’ka seancë gjyqësore
Gjykata e Ferizajt, nuk ka arritur të gjejë ekspert të telekomunikacionit, e që si pasojë është shtyrë për kohë të pa caktuar seanca ndaj të akuzuarit Naser Pajazitaj i dyshuar për vrasjen e Donjeta Pajazitit.
Naser Pajazitaj, i cili akuzohet se e ka vrarë Donjeta Pajazitajn, është dashur të dalë para gjykatësit në Gjykatën e Ferizajt për t`u përballur me aktakuzën e Prokurorisë së Pejës. Por seanca ndaj tij ka dështuar të mbahet.
Se nuk do të mbahet seanca ndaj Pajazitit për KALLXO.com e konfirmoi Albenora Bekteshi, zyrtare për informim në Gjykatën e Ferizajt.
“Mund të ju konfirmoj se kjo seancë nuk do të mbahet dhe e njëjta është shtyrë për kohë të pa caktuar. Arsye për shtyrjen e seancës është fakti se Gjykata nuk ka mundur të siguroj ekspert të telekomunikacionit”, tha Hoti.
Sipas prokurorisë përderisa Donjeta ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalë me veturë dhe e kishte marrë Donjetën me ç`rast e kishte dërguar tek vendi ‘Kroi i lajthisë’, ku më pas e kishte vrarë me dy plumba në kokë.
Por për këto akuza, Gjykata Themelore në Pejë në mungesë të provave e kishte liruar Naser Pajazitajn nga akuzat, mirëpo me ketë vendim nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila ishte vendosur që çështjen ta kthejë edhe një herë në gjykim.
Pas rigjykimit Pajazitaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm, vendim ky i cili në muajin korrik të vitit 2019 edhe ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit.
Gjykata e Pejës kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast, pasi kishte marrë dy vendime skajshmërisht të ndryshme, me njërin duke e liruar, kurse me vendimin tjetër e kishte dënuar me burgim të përjetshëm.
Tani, pasi Gjykata Supreme i kishte prishur të dy vendimet e Gjykatës se Pejës (edhe atë të lirimit edhe atë të dënimit me burgim të përjetshëm), lënda është duke u gjykuar në Gjykatën e Ferizajt.
Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.
Vrasja e Donjeta Pajazitajt, rrëfehet në gjykatë gruaja e të akuzuarit Naser Pajazitaj