“S'ka dorëzim! KM mbetet!” - Mbishkrimet në veri si thirrje për mosregjistrimin e automjeteve me targa RKS

Përderisa Ministria e Punëve të Brendshme vazhdimisht po u bën thirrje qytetarëve të komunitetit serb që të regjistrojnë automjetet e tyre me RKS, në zona të ndryshme në veri të Kosovës janë parë fletushka të ngjitura në ndërtesa me mbishkrimin: “S’ka dorëzim! KM mbetet!”.

Bashkë me këto mbishkrime janë parë edhe të tjera të cilat flasin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Pronarëve të automjeteve me targa ‘PR’, ‘KM’, ‘PZ’, ‘GL’, ‘UR’, ‘PE’, ‘DA’, me të cilat janë pajisur nga 10 qershori 1999 e deri më 21 prill 2022, do t’u mundësohet regjistrimi me targat RKS pa kurrfarë pagese. Kjo “ofertë” e autoriteteve të Kosovës do të vlejë deri më 31 tetor.

KALLXO.com ka raportuar ditë më parë se një rreshteri të Policisë i është djegur shtëpia për shkak se i njëjti kishte regjistruar veturën e tij me targa RKS.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë ditës së djeshme ka thënë se dy vetura janë regjistruar me targa RKS.

Çështja e targave tash e disa muaj po krijon probleme e tensione në pjesën veriore të Kosovës.

Vitin e kaluar dy javë pati bllokada të vendosura nga qytetarët serbë në disa lokacione të ndryshme pasi u vendos reciprociteti me targa.

Më 31 korrik të këtij viti sërish pati tensione në veri të vendit dhe bllokada për shkak të vendimeve për të regjistruar veturat dhe për dokumentet.