Takimi Kurti-Vuçiq në qershor 2021, Foto: Twitter

S'ka datë të konfirmuar për takimin e radhës Kurti-Vuçiq të paralajmëruar për shtator

Ende nuk dihet data e takimit të muajit shtator mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Nga takimi i fundit që është zhvilluar më 18 gusht, palët kanë rënë dakord që të takohen në baza mujore.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një përgjigje për KALLXO.com, ka thënë se ende nuk ka ndonjë datë të konfirmuar për takimin e radhës.

“Kryeministri Kurti ka shprehur gatishmërinë dhe interesimin për takime të tilla që i shërbejnë arritjes së marrëveshjes ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Aktualisht ende nuk ka një datë të konfirmuar për takimin e radhës që pritet të mbahet në muajin shtator”, tha ai.

Në lidhje me datën dhe mundësinë për mbajtjen e një takimi të nivelit të lartë në shtator, KALLXO.com ka kontaktuar edhe zëdhënësin e BE-së, Petar Stano, mirëpo deri në publikimin e këtij teksti nuk ka marr përgjigje.

18 gushti ka qenë data e fundit kur në Bruksel, pas më shumë se 1 viti pa takime, janë takuar kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Pas këtij takimi i dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për dialogun Kosovë-Serbi, Gaberiel Esocbar tha që palët kanë rënë dakord të takohen në baza mujore.

“Një nga rezultatet është se të dy liderët u pajtuan të takohen në baza mujore, dhe më duhet të them se takimi mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq ka qenë shumë i mirë, dhe profesional. Mendoj se mund ta shohim fillimin e një raporti të përmirësuar mes të dyve”, ka thënë Escobar në një intervistë për N1.

Takimi i 18 gushtit ka qenë takimi i 3-të i nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.