Ilustrim

S’iu bind urdhrave të Policisë, një person shoqërohet në stacionin policor në Prishtinë

Një person në Prishtinë është shoqëruar në stacion policor pasi nuk u është bindur urdhrave të Policisë.

Ngjarja ka ndodhur në kolonën e shkaktuar si pasojë e aksidentit të ndodhur në Veternik, në kryeqyetet, pasditen e së premtes, më 11.10.2024. 

Lajmin për arrestimin e të dyshuarit nga Policia e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti. 

“Ka penguar zyrtarët dhe s’u është bindur urdhrave që zyrtarët i kanë dhënë prandaj është shoqëruar në stacion”- ka thënë Ahmeti. 

Në një video që ka siguruar KALLXO.com shihen dy zyrtarë policorë teksa në kolonën e veturave në Veternik pas aksidentit të ndodhur e nxjerrin nga vetura dhe ia lidhin duart personit në fjalë, pranë veturës së tij. 

Ndryshe, tetë persona janë lënduar nga një aksident zinxhiror në Veternik të Prishtinës, të cilët janë pranuar në Emergjencën e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Drejtori i Emergjencës, Naser Syla, tha se deri më tani kanë pranuar tetë pacientë dhe të gjithë janë në gjendje stabile.Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti ka thënë për KALLXO.com se në aksident janë të përfshirë një kamion dhe 11 automjete të tjera.

Tetë të lënduar nga aksidenti në Veternik po trajtohen në QKUK