Situatë e rënduar me vërshime në Luginën e Preshevës, flet Ragmi Mustafa

Reshjet e ditëve të fundit në Kosovë kanë prekur edhe Luginën e Preshevës.

Bujanoci, Mevegja dhe Presheva të cilat janë të banuara nga shqiptarët janë duke u përballur me përmbytje nga shiu i rënë ditëve të fundit.

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Ragmi Mustafa në një bisedë për KALLXO.com ka thënë se situata është shumë e rënduar sidomos në Komunën e Bujanocit.

“Ka qenë një gjendje alarmante sa i përket të reshurave përkatësisht fatkeqësive natyrore që janë shkaktuar. Për shkak të reliefit dhe për shkak pozitës gjeografike që ka rreth lumit Morava, dëmet më të mëdha kanë qenë në Komunën e Bujanocit përkatësisht në fshatrat Lluqan, Konqul e Osllar”, ka thënë Mustafa.

Mustafa ka thënë se edhe pse niveli i ujit ka rënë, dëmet materiale të shkaktuara nga përmbytjet janë të mëdha.

“Shtabi i emergjencave të Komunës së Bujanocit ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, tash për tash është tërhequr volumi i përmbytjes, lumenjtë janë kthyer në shtratet e tyre, por dëmet materiale janë të mëdha në këto fshatra”, theksoi ai.

Tutje për KALLXO.com përfaqësuesi i shqiptarëve në Luginë, Ragmi Mustafa ka thënë se janë duke punuar për ta llogaritur koston e dëmit të shkaktuar nga këto përmbytje.

“Tashmë shtabi i emergjencave të Komunës së Bujanocit ka fillu me i marrë aplikacionet përkatësisht ankesat e qytetarëve si dhe ka formuar grupin i cili do të bëjë vlerësimin e dëmeve që i janë shkaktuar bashkëqytetarëve”, theksoi ai.

Mustafa është shprehur se nuk ka informacione nëse Qeveria e Kosovës ka kontaktuar këto komuna, por ka theksuar se në këtë situatë edhe Lugina ka nevojë për mbështetje.

“Për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme është kompetencë e Komunave përkatësisht shtabeve të emergjencave, sesa kanë kontaktuar këto shtabe me institucionet e Kosovës nuk jam në gjendje të konfirmoj diçka të tillë, megjithatë besoj që do të duhej njëkohësisht të ketë kujdese për këtë situatë të rëndë socio-ekonomike e vështirësuar nga pandemia”, shtoi ai.

Tutje ai tha se për gjendjen në Luginë kanë diskutuar ditë më parë në takimin me zyrtar të qeverisë, por pas kësaj nuk kanë pasur ndonjë bisedë me autoritet në Kosovë.

“Ne sa ishim ne qeveri atë ditë kur ndodhi kjo, ne nuk e dinim se cilat ishin dëmet dhe përmasat e përmbytje por që e diskutuam edhe këtë çështje, por tutje nuk na kanë kontaktuar për këtë çështje” , theksoi Mustafa.

Shumë komuna në Kosovë janë përballur me përmbytje për shkak të reshjeve të shiut. Mungesë të energjisë elektrike, shtëpi të dëmtuara, ura e rrugë të dëmtuara janë disa nga pasojat që shkaktuan reshjet e shiut.

Komuna e Kamenicës dhe e Vushtrrisë kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të situatës së krijuar.