FOTO: KALLXO.com

Situatë e qetë në Leposaviq, qytetarët shëtisin lirshëm para policëve, të cilët po e ruajnë Komunën

Të ulur në kafenenë përballë objektit të Komunës, qytetarë të Leposaviqit po e kalojnë në qetësi këtë ditë vikendi.

Ka prej tyre që lëvizin lirshëm, pa u penguar, nëpër sheshin pranë objektit komunal, të cilin po e ruajnë pjesëtarë të Policisë së Kosovës.

Dy ditë më parë, disa qytetarë ishin mbledhur te hyrja e Komunës për të pamundësuar hyrjen e kryetarit të ri të Komunës, i zgjedhur më 23 prill.

Mirëpo, kryetari Lulzim Hetemi hyri në ndërtesë, i shoqëruar nga forcat policore, pasi paraprakisht Policia shpërndau turmën.

Situatë e njëjtë kishte mbretëruar edhe në, Zveçan e Zubin Potok, kryetarët e të cilave komuna kishin hyrë në ndërtesë të shoqëruar dhe ruajtur nga Policia.

Ky veprim kishte acaruar qytetarët protestues, disa prej të cilëve ishin të dhunshëm, meqë sulmuan me gurë e shok-bomba pjesëtarët e Policisë dhe automjetet e tyre.

Aksioni i së premtes i institucioneve të Kosovës ishte kritikuar ashpër nga faktorët ndërkombëtarë, duke përfshirë SHBA-në, BE-në e NATO-n.

FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com
FOTO: KALLXO.com