Situata pas sulmit në Ibër- Lepenc, Hovenier: Është herët të përcaktohet se kush është përgjegjës për këtë akt
Kryeministri Albin Kurti, mëngjesin e sotëm (02.12.2024) ka pritur në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it, si dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, me të cilët ka diskutuar lidhur me situatën në vend pas sulmit terrorist që u bë në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok, më 29.11.2024.
Pas këtij takimi, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka ripërsëritur se SHBA-të e dënojnë fuqishëm “sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës”, e cila ka vënë në rrezik furnizimin me energji elektrike në vend, ngrohjen dhe ujin e pijshëm.
“Kryeministri Kurti na ka ftuar për një bisedë dhe një informim nga qeveria për sulmin e tmerrshëm në mbrëmjen e së premtes” – tha Hovenier.
Ai shtoi se SHBA-të e mbështesin një hetim gjithëpërfshirës të sulmit dhe ofrojnë mbështetjen e plotë për autoritetet e Kosovës në këtë hetim.
“Mendojmë se është e rëndësishme që ata që janë përgjegjës të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi. Veprimet e dhunshme janë të pajustifikueshme” – theksoi ambasadori Hovenier.
Këto veprime të dhunshme, sipas tij, e vendosin Kosovën dhe qytetarët e saj në rrezik.
“Ne përgëzojmë reagimin e shpejtë të autoriteteve të Kosovës … Qëndrojmë në gatishmëri të ndihmojmë popullin e Kosovës në këtë. E mirëpresim edhe mbështetjen e ofruar nga BE, EULEX, KFOR dhe të tjerët …” – tha diplomati amerikan.
Edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Aivo Orav, u deklarua shkurt para mediave.
Ai tha se kryeministri Kurti i informojë ambasadorët për zhvillimet e ndodhura natën e së premtes.
“Nga ana e Bashkimit Evropian, Përfaqësuesi i Lartë Borrell ka bërë një deklaratë të qartë dhe të fuqishme, dhe nuk do ta përsëris, sepse ajo është bërë shumë publike në media tashmë” – tha Orav.
Ambasadori Hovenier është pyetur nëse Serbia qëndron prapa sulmit terrorist të 29.11.2024 në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin Potok.
Por, Hovenier tha se në këtë pikë, Shtetet e Bashkuara nuk janë në gjendje të thonë se kush qëndron pas këtij sulmi.
“Jemi në një fazë të hershme dhe këto çështje kërkojnë hetim të kujdesshëm. Ajo që mund të them është se kemi ofruar mbështetjen tonë për autoritetet e Kosovës, dhe mendojmë se është e rëndësishme të ketë një hetim shumë të besueshëm dhe të plotë për të identifikuar dhe mbajtur përgjegjësi ata që janë përgjegjës” – tha ambasadori.
Tutje, ai shtoi se nuk mund të thonë ende kush është përgjegjës dhe gjithashtu nuk janë në gjendje të përjashtojmë asnjë grup apo shtet.
“Është shumë herët dhe ne ende nuk e dimë” – theksoi i njëjti.
Sipas Hovenier, pasi të përcaktohet kush është përgjegjës, do të punojnë me autoritetet përkatëse për të siguruar që kushdo që kreu sulmin të mbajë përgjegjësi.
“Ky është një angazhim nga Shtetet e Bashkuara. Besoj se është edhe një angazhim nga partnerët e tjerë që të gjithë duam të dëgjojmë që autorët të mbahen përgjegjës” – tha Hovenier.
Nga një shpërthim që ka ndodhur më 29.11.2024 është dëmtuar kanali i ujit i Ibër-Lepencit. Ky sulm terrorist është kryer në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut.
Qeveria e Kosovës thotë se ky sulm është dirigjuar e orkestruar nga Serbia e i kryer nga profesionistë, teksa Serbia mohoi këto akuza.
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj Dragisha Viqentijeviqit, i arrestuar nën dyshimin se ka marrë pjesë në sulmin terrorist.
Caktimin e masës së paraburgimit e ka konfirmuar mbrojtësi i të pandehurit, avokati Millosh Delloviq.
Në një konferencë për media pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Prishtinës, avokati Delleviq tha se klienti i tij nuk e ka pranuar fajësinë.
Këtë sulm e kanë dënuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, e ka quajtur sulm terrorist.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka njoftuar më 30.11.2024 se pavarësisht dëmtimit që shpërthimi shkaktoi në kanalin e Ibër-Lepencit, kanë arritur të sigurojnë energji elektrike për vendin përmes vendosjes së gjashtë gypave të përkohshëm, me kapacitet të mjaftueshëm për të siguruar ujë për ftohjen e termocentralit “Kosova B”.
Lidhur me aktin terrorist, Këshilli i Sigurisë së Kosovës ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme në orën 01:30 të mëngjesit të 30.11.2024.
Në mbledhje, sipas një komunikate për media, u fol për ndërlidhjen e mundshme të rastit të djeshëm, me një sulm të ngjashëm rus në Ukrainë javën e kaluar.
Në këtë mbledhje janë diskutuar edhe masat emergjente që janë marrë dhe po merren për të zbutur pasojat e sulmit dhe për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike në vend.
Ndërkohë, ekipe të Misionit Paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, kanë dalë më 30.11.2024 në vendin e ngjarjes ku ka ndodhur shpërthimi.