Situata në veri, raportohet se Vuçiq është nisur drejt Rashkës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është nisur në Rashkë për një takim urgjent me përfaqësuesit politik të serbëve të veriut të Kosovës.

Siç raportojnë mediat në Serbi, Vuçiq këtë hap e bëri pas situatës së krijuar në pjesën veriore të Kosovës, pas aksionit të Policisë kundër kontrabandës.

Me herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kërkoi nga banorët serbë të kësaj ane që të mos bien pre e provokimeve nga grupe të caktuara të qytetarëve që kryejnë kontrabandë nga Serbia në Kosovë.

Ndërsa, kryeministrja serbe, Ana Brnabiq pas situatës së krijuar, kërkoi reagimin e bashkësisë ndërkombëtare.

Policia e Kosovës në orët e hershme të mëngjesit ka nisur një aksion kundër kontrabandës në veri të vendit dhe disa lokacione të ndryshme.

Gjatë aksionit, Policia ishte penguar nga banorët serbë të kësaj ane dhe është dashur të përdorin gaz lotsjellës dhe të ndërhyjnë me autoblinda.

Një situatë tensionuse pas kësaj, është duke mbizotëruar edhe në Zveçan sipas informatave të KALLXO.com.

Aksioni policor, që filloi sot është shtrirë në lokacione në Kosovë, përfshirë rajonin e Mitrovicës së Veriut dhe të Jugut, në Prishtinë e Pejë.