Foto: KFOR

Situata në veri, komandanti i KFOR-it takoi Kurtin, Rakiqin dhe katër kryetarët e komunave veriore

Gjatë javës, komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë – KFOR, gjeneralmajor Ferenc Kajari ka takuar ndarazi, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq dhe katër kryetarët e komunave veriore të Kosovës. 

Gjatë këtij takimi, sipas njoftimi për media të KFOR-it, është diskutuar për situatën në veri të Kosovës.

Theksohet se komandanti i KFOR-it i informoi palët për aktivitetet dhe përpjekjet e vazhdueshme të KFOR-it për të garantuar sigurinë dhe lirinë e lëvizjes si dhe parandalimin e përshkallëzimi të situatës.  

Sipas njoftimit, Gjenerali Kajari ka thënë se KFOR-i mbetet plotësisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të tij,  bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.  

Tutje thuhet, se Komandanti i KFOR-it ka bërë të qartë se trupat e KFOR-it nuk kanë qenë të angazhuara në aktivitete stërvitore me Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, siç është raportuar në media. 

“Komandanti i KFOR-it, në përputhje me deklaratat e mëparshme, ka bërë të qartë se trupat e KFOR-it nuk kanë qenë të angazhuara në aktivitete stërvitore me Policinë e Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, siç thuhet gabimisht në disa raportime mediatike”.

“Ai përsëriti gjithashtu se KFOR-i i monitoroi me shqetësim postblloqet në veri të Kosovës më 31 korrik dhe rikujtoi rrezikun që një situatë kaq e tensionuar të shndërrohet në incidente të dhunshme. KFOR-i mbetet i paanshëm dhe i përkushtuar për të ofruar kornizën e sigurisë në të cilën mund të vazhdojë dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”- thuhet në njoftim.  

Gjithashtu siaps njoftimit, Gjenerali Kajari  u bëri thirrje palëve që të shmangin veprimet e njëanshme,  dhe të përmbahen nga dhuna. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Vuçiq janë takuar më 18 gusht në Bruksel, por takimi nuk ka pasur ndonjë rezultat konkret.

Takimet e tyre janë mbajtur pas tensionimit të situatës në veri të Kosovës më 31 korrik, meqë serbët lokalë kanë vënë barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj hapit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të vendimeve për targat dhe dokumentet serbe.

Foto: KFOR