Situata në veri, Haradinaj i kërkon Kurtit koordinim me ndërkombëtarët

Ish-kryeministri i Kosovës dhe njëkohësisht kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se tensionet në veri janë të papranueshme dhe ka dënuar sulmet ndaj policëve të Kosovës sot gjatë vendosjes së kryetarëve të rinj në objektet e komunave të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

“Tensionet në veri janë të papranueshme! Sulmet dhe lëndimi i policëve janë akt i rëndë dhune dhe si të tilla janë të dënueshme. Serbët lokalë të heqin dorë nga dhuna dhe të mos bijnë pre e interesave politike të Aleksandër Vuçiqit, të cilit edhe ashtu po i lëkundet pushteti” – shkruan Haradinaj.

Ai ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të jetë i kujdeshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë.

“Kryeministri i Kosovës nga ana e tij, të jetë maksimalisht i kujdesshëm dhe të mos ndërmarrë veprime të pakoordinuara me partnerët ndërkombëtarë”- deklaroi Haradinaj.

Kreu i AAK-së thotë se ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta.

“Ngërçi politik me serbët lokalë të Kosovës në atë pjesë, mund të zgjidhet vetëm me dialog të hapur me ta. Kosova nuk e ka luksin të veprojë e vetme dhe e pakoordinuar me miqtë ndërkombëtarë në kapërcimin e gjendjes së krijuar në veri. Apeloj tek qytetarët serbë dhe tek institucionet e Kosovës që të bëjnë të pamundurën në qetësimin e situatës”- është shprehur Haradinaj.

Që nga mesdita, në katër komunat e veriut të vendit është dëgjuar alarmi, ndërsa pranë disa objekteve komunale, si në Zveçan e në Zubin Potok, janë parë qytetarë të cilët kanë kundërshtuar futjen e kryetarëve të zgjedhur në objektet komunale.

Pesë policë të Kosovës kanë pësuar lëndime të lehta trupore, pasi janë sulmuar nga protestuesit në Zveçan me mjete të forta dhe shok-bomba, ka konfirmuar Policia e Kosovës.

KALLXO.com po raporton në kohë reale nga veriu i Kosovës.

LIVE – Zhvillimet e fundit në veri