Ilir Peci, Foto: Facebook

Situata në veri, flet kryetari i Zveçanit: Nëse krijohen kushtet patjetër që do të shkoj në komunë

Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci ka thënë se prej kur është betuar si kryetar komune, vetëm njëherë ka qenë në objektin e saj, të premten e 26 majit.

Por, Peci tha se nëse krijohen kushtet, ai do të shkojë atje për të ushtruar detyrën e të parit të komunës së Zveçanit.

Në një deklaratë për KALLXO.com, Ilir Peci që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka dashur t’i komentoj kërkesat e ndërkombëtarëve, që punën kryetarët e zgjedhur ta zhvillojnë nga lokacione jashtë objektit të komunës.

Ai tha se nga partia e tij, PDK, nuk ka pasur ndonjë këshillë.

“Më duket pak herët me dhënë mendim, sepse këtu ka shumë qëndrime të ndryshme. Të shohim në ditët e ardhme çfarë po ndodh…” – tha kryetari i zgjedhur i Zveçanit kur u pyet për kërkesën që të ketë zgjedhje të reja në veriun e vendit.

Por, Ilir Peci tha se në rast se krijohen kushtet do të dalë në zyrën e tij të punës, në Komunën e Zveçanit.

“Sot nuk jam në punë, sepse është pushim por, në objektin e komunës kam qenë vetëm të premten e javës së kaluar kam qenë, mirëpo në momentin që është komuna e sigurt, unë patjetër që do të shkoj, kur të krijohen kushtet” – tha ai.

“Nëse të hënën thotë Qeveria e Republikës së Kosovës janë kushtet për të filluar, patjetër që do të shkoj. Më mirë është edhe për ne me shku atje, sepse s’po kemi hapësira të tjera. Ne jemi në njëfarë forme punëtorë të Qeverisë së Kosovës, ku të na thotë Qeveria ne do të shkojmë, patjetër. Unë po flas për komunën time të paktën. Është më lehtë edhe për ne” – deklaron Peci.

Ai tha që gjatë ditëve të kaluara ka punuar nga zyra për komunitete në fshatin Lipë ndërsa, foli edhe për atë, nëse PDK e ka këshilluar sesi të veprojë pas situatës së krijuar.

“Nuk kemi pasur diçka përfundimisht prej partisë nuk na kanë ndërhyrë diçka…” – tha kryetari Peci.

Nën alarm: Si nisën tensionet në veri?

Më 23 prill, në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale. Sipas institucionit që organizon zgjedhjet në Kosovë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, partia Lëvizja Vetëvendosje fitoi garën për kryetar komune në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq ndërsa Partia Demokratike e Kosovës fitoi në Zveçan dhe në Zubin Potok.

KQZ tha se dalja në zgjedhje ishte vetëm 3.47% dhe nuk pati ndonjë incident të madh.

Ndërkohë, Lista Serbe, partia më e madhe e serbë në Kosovë, ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve dhe i ka ftuar qytetarët serbë që t’i bojkotojnë ato.

Që nga 26 maji, grupe protestuesish kanë kundërshtuar vendosjen e kryetarëve të ri në objektet e komunave.