Zveçan, Foto: Shkodrane Dakaj/KALLXO.com
Situata në veri, bie numri i protestuesve
17:45 – Mesazhi i Edi Ramës për Kosovën ‘vëllazërore’ dhe Serbinë ‘miqësore’
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar në lidhje me tensionet në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Rama ka thënë se shpreson që Kosova “vëllazërore” dhe Serbia “miqësore”, të zgjidhin këtë konflikt përpara se Bashkimi Evropian të zbatojë masa të forta kundër tyre.
“Shpresoj shumë që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë kthim në vete si shtete evropiane përgjegjëse”- ka thënë Rama.
“BE-ja nuk mund të ishte më e qartë. Vazhdimi i këtij jo-plani absurd duke vendosur policinë për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të ushtrisë për të kënduar në kufirin e një vendi tjetër nuk mund të ishte më vetë- shkaktuese dhe më pak evropiane”- ka shkruar Rama.
16:17 – Tensionet në veri, Turqia do të dërgojë trupa shtesë në Kosovë në kuadër të KFOR-it
Turqia planifikon të dërgojë në Kosovë disa trupa nesër dhe pasnesër, me kërkesë të NATO-s pas tensioneve të krijuara në veri të vendit.
Ministria e Mbrojtjes në Turqi thotë njësitet e tyre pritet në angazhohen me 4 dhe 5 qershor.
“Pas ngjarjeve që ndodhën në Kosovë, një batalion komando i lidhur me Komandën tonë të Brigadës së 65-të të Mekanizuar të Këmbësorisë (Kırklareli), i cili më parë ishte caktuar në Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), u caktua si njësi rezervë me kërkesë të NATO-s. Komanda e Forcave të Përbashkëta/Napoli (Itali). Është planifikuar transferimi i njësisë sonë të caktuar në Kazermën Sulltan Murat në Kosovë më 4-5 qershor 2023”- thuhet në deklaratë.
Gjithashtu Ministria ka bërë thirrje për përmbajtje dhe dialog konstruktiv, për ta zgjidhur krizën, e cila, sipas autoriteteve turke, mund ta dëmtojë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
14;54 – Kurti: Veriu i Kosovës ka nevojë për zgjedhje të lira dhe sundim të ligjit
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, edhe sot ka bërë thirrje për shtensionim të situatës në veri të Kosovës.
Këtë deklaratë shefi i ekzekutivit, e bëri sot në fshatin Muhoc të Ferizajt, gjatë vendosjes së gur themelit të shtëpisë së familjes gorane përfituese e mbështetjes së Ministrisë për Komunitete dhe Kthim.
“Situata në veri të Kosovës duhet të de eskalohet, për këtë është e nevojshme që të mos ketë më protesta të dhunshme, ata të cilët i kanë sulmuar ushtarët e KFOR-it, Policinë e Kosovës dhe gazetarët duhet të përballën me drejtësinë, e që në të ardhmen të kemi zgjedhje të lira, ku qytetarët e shprehin lirshëm vullnetin e tyre”, tha ai, raporton RTKlive.
Sipas tij, veriu i Kosovës, ka nevojë për zgjedhje të lira, por nevojitet paraprakisht sundim të ligjit, si dhe fushata për zgjedhje të jetë e lirë./RTKlive
14:08 – Tensionet në veri, BE: Zgjedhjet e parakohshme të shpallen sa më shpejtë
Bashkimi Evropian ka reaguar edhe njëherë pas tensioneve në javën e fundit në veriun e Kosovës.
Përmes një njoftimi zyrtar, BE ka kërkuar që situata të shtensionohet dhe kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri punën ta bëjnë në objekte alternative, e jo në ato komunale.
BE ka kërkuar nga Kosova që të tërheq forcat e rendit të cilat janë afër objekteve komunale ndërsa ka shprehur shqetësim edhe për ngritjen e gatishmërisë së ushtrisë serbe.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm të zbatojë masa të vendosura. Dështimi për të shtensionuar situatën do të çojë në pasoja negative” – thuhet në njoftim.
“Presim që Kosova të veprojë në mënyrë jo shkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Kryetarët e komunave duhet t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale” – thuhet tutje në njoftim.
BE ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë “dhe pa kushte të marrin masa për të shtensionuar situatën, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar”.
“Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje” – thuhet në reagim.
BE ka përmendur edhe urdhrin e presidentit serb, Aleksander Vuçiq që ushtria të rritë gjendjen e gatishmërisë.
“Ne shprehim shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe” – thuhet tutje ne komunikatën e BE-së.
13:33 – Situatë e qetë e pak protestues edhe në Leposaviq
Një situatë e qetë po mbizotëron edhe në Leposaviq në ditën e gjashtë të protestave në veriun e vendit.
Një numër më i ulët se ditëve të tjera është parë edhe pranë ndërtesës komunale në këtë qytet, raporton gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj.
Pranë qytetarëve serb janë vendosur edhe ekipet e KFOR-it që po sigurojnë objektin e komunës, brenda së cilës që nga e hëna kryetari i ri, Lulzim Hetemi është i bllokuar.
Shumica e protestueseve sot në këtë komunë kanë qenë burra, për krahasim me Zveçanin ku numëri më i madh i protestueseve këtë të shtunë ishin gra.
12:15 – Situata në veri, flet kryetari i Zveçanit: Nëse krijohen kushtet patjetër që do të shkoj në komunë
Kryetari i zgjedhur i Zveçanit, Ilir Peci ka thënë se prej kur është betuar si kryetar komune, vetëm njëherë ka qenë në objektin e saj, të premten e 26 majit.
Por, Peci tha se nëse krijohen kushtet, ai do të shkojë atje për të ushtruar detyrën e të parit të komunës së Zveçanit.
Në një deklaratë për KALLXO.com, Ilir Peci që vjen nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) nuk ka dashur t’i komentoj kërkesat e ndërkombëtarëve, që punën kryetarët e zgjedhur ta zhvillojnë nga lokacione jashtë objektit të komunës.
Ai tha se nga partia e tij, PDK, nuk ka pasur ndonjë këshillë.
“Më duket pak herët me dhënë mendim, sepse këtu ka shumë qëndrime të ndryshme. Të shohim në ditët e ardhme çfarë po ndodh…” – tha kryetari i zgjedhur i Zveçanit kur u pyet për kërkesën që të ketë zgjedhje të reja në veriun e vendit.
Por, Ilir Peci tha se në rast se krijohen kushtet do të dalë në zyrën e tij të punës, në Komunën e Zveçanit.
“Sot nuk jam në punë, sepse është pushim por, në objektin e komunës kam qenë vetëm të premten e javës së kaluar kam qenë, mirëpo në momentin që është komuna e sigurt, unë patjetër që do të shkoj, kur të krijohen kushtet” – tha ai.
“Nëse të hënën thotë Qeveria e Republikës së Kosovës janë kushtet për të filluar, patjetër që do të shkoj. Më mirë është edhe për ne me shku atje, sepse s’po kemi hapësira të tjera. Ne jemi në njëfarë forme punëtorë të Qeverisë së Kosovës, ku të na thotë Qeveria ne do të shkojmë, patjetër. Unë po flas për komunën time të paktën. Është më lehtë edhe për ne” – deklaron Peci.
Ai tha që gjatë ditëve të kaluara ka punuar nga zyra për komunitete në fshatin Lipë ndërsa, foli edhe për atë, nëse PDK e ka këshilluar sesi të veprojë pas situatës së krijuar.
“Nuk kemi pasur diçka përfundimisht prej partisë nuk na kanë ndërhyrë diçka…” – tha kryetari Peci.
12: 30 – Pak qytetarë janë parë sot duke protestuar pranë ndërtesës së komunës në Zveçan.
Shumica e tyre janë gra, raporton gazetarja e KALLXO.com, Shkodrane Dakaj.
Pranë tyre po qëndron edhe nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, përderisa perimetri i siguruar nga KFOR vazhdon të jetë i njëjti.
Telat me gjemba, pengesat e hekurit e kordoni i këtij misioni vazhdojnë të qëndrojnë në vendin e tyre.
Gjendja e sigurisë në veriun e Kosovës, në katër komuna me shumicë serbe, vazhdon të jetë e tensionuar. Derisa përpjekjet për të qetësuar gjendjen nga ndërkombëtarët kanë filluar, një varg ngjarjesh ndodhen në veri të vendit gjatë shtatë ditëve të fundit.
Katër komunat me shumicë serbe në veriun e vendit përbëjnë rreth 17% të tërë territorit të Kosovës. Që nga paslufta, rajoni ka mbetur në një gjendje të ngrirë pothuajse, pasi autoritetet nuk arritën të shtrijnë ligjin plotësisht asnjëherë. Kështu, zona u kthye në një burim të problemeve të sigurisë.
Së fundmi, Kosova u bë lajm në mediat ndërkombëtare pikërisht për situatën e sigurisë në veri.
Mesditën e së premtes, më 26 maj, në katër qytetet me shumicë serbe në veriun e vendit u dëgjua alarmi i sigurisë. Tingulli ka një mesazh të qartë për serbët lokal në katër komunat, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, ata duhet t’i përgjigjen thirrjes për organizim dhe dalje në rrugë – kështu ka ndodhur çdo herë në veri të vendit.
Derisa në komunën e Mitrovicës së Veriut nuk u panë të grumbullohen, në tri komunat tjera, serbët e asaj zone po kundërshtonin vendosjen e kryetarëve të komunave në objektet komunale.
E gjithë situata e krijuar së fundmi, nisi disa muaj më parë.
Katër kryetarët e komunave në veri të vendit, më 6 nëntor 2022 kishin dhënë dorëheqje pasi Lista Serbe, partia më e madhe e këtij komuniteti në Kosovë, kishte vendosur që t’i bojkotoi institucionet e vendit. Përveç kryetarëve të komunave, ishin dorëhequr edhe gjyqtarët dhe prokurorët serbë nga sistemi i dritësisë e gjithashtu edhe policët kishin braktisur uniformën.
Pas dorëheqjeve të kryetarëve të komunave, Presidentja e vendit, Vjosa Osmani kishte shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme për datën 18 dhjetor 2022.
Por, pas rekomandimit të ndërkombëtarëve, zgjedhjet në katër komunat e veriut të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok ishin shtyrë për datën 23 prill 2023.
Zgjedhjet pa zgjidhje
KQZ tha se dalja në zgjedhje ishte vetëm 3.47% dhe nuk pati ndonjë incident të madh.
Partia Lista Serbe, nuk mori pjesë në zgjedhje dhe bëri thirrje tek serbët lokal që t’i bojkotojnë ato. Thirrje për të bojkotuar procesin zgjedhor në katër komunat e veriut të Kosovës bëri edhe Beogradi zyrtar.
Në anën tjetër, disa nga përfaqësuesit diplomatik në Kosovë, Ambasada e ShBA-së, Francës, Gjermanisë e Britanisë së Madhe, përshëndetën mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Por, megjithatë, theksuan daljen e ulët të qytetarëve në zgjedhje.
Katër kryetar shqiptar u zgjedhën në krye të katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Betimin si kryetar komune, përveç kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, i cili u betua në objektin e komunës, tre kryetarët tjerë, i Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk u betuan në objektet e komunave, por në shkolla dhe zyre të bashkësisë komunale.
Më 26 maj 2023, forcat e policisë u angazhuan që të u sigurohet hyrja e kryetarëve të zgjedhur nëpër zyrat e tyre të reja të punës. Por, serbët lokal kundërshtuan hyrjen e kryetareve të ri në objektet e komunave.
Në këtë situatë, intervenoi Policia e Kosovës përmes njësiteve speciale. Ata u përplasen me protestues, ndërsa u përdorë edhe gazi lotsjellës për t’i larguar turmat nga hyrjet e ndërtesave së komunave.
Në mënyrë krejtësisht të pazakontë, nën përcjellje të policisë e mes tensionesh, kryetarët në Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, pasditen e së premtes u futën në zyrat e punës.
Policia me njësite speciale vazhdoi qëndrimin pranë objekteve komunale edhe gjatë ditëve të tjera, të shtunën dhe të dielën. Por, e gjithë situata e tensionuar prodhoi reagime të ashpra.
Reagimet e para erdhën nga Beogradi zyrtar, ku ministri i Mbrojtjes tha se ka marrë një urdhër nga presidenti, Aleksandar Vuçiq që forcat ushtarake të vihen në gjendje gatishmërie dhe të njëjtat të vendosën në zonën administrative me Kosovën.
Të hënën më 29 maj, në orët e hershme të mëngjesit, qytetarë serbë ishin mbledhur sërish pranë objekteve komunale në tre komunat e veriut të vendit. Ata do të kundërshtonin sërish futjen e kryetarëve shqiptar në objektet e komunave.
Për dallim nga dita e premte, në veri prezencën e kishte shtuar misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR.
Derisa kundërshtimi i serbëve lokal vazhdonte në veri të vendit, Ambasadorët e vendeve evropiane dhe ai i ShBA-së, kishin nis përpjekjet për ta bindur kryeministrin Kurti që veprimet përmes policisë të ndalonin dhe situata të qetësohej.
Sulme ndaj gazetarëve
Që nga 26 maji, kur nisën protestat e serbëve në veri të vendit, rreth 20 sulme ndaj punonjësve të medias u regjistruan.
Të dhënat i konfirmoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Dy gazetarë të BIRN ishin në mesin e disa gazetarëve nga mediat shqiptare dhe serbe të ngecur për orë të tëra në një kafene në komunën e Zveçanit me shumicë serbe më 30 maj, pasi protestat u bënë të dhunshme.
Në situatën e krijuar, reagime erdhën nga të gjitha anët. NATO mori vendim që 700 trupa të reja të dislokohen në Kosovë.
Reagime të tjera pati nga Sekretari Amerikan, Blinken i cili kërkoi nga Qeveria e Kosovës që Policia e Kosovës të tërhiqet nga objektet e komunave dhe kryetarët e zgjedhur të punojnë nga lokacione te tjera, që tensionet të ulen.
Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti në një intervistë për CNN Internacional tha të martën se nuk do të lejoj që veriu i Kosovës të dirigjohet nga struktura ilegale, duke iu referuar grupeve të serbëve që po organizojnë protesta në veri.
Reagime pati edhe nga opozita në Kosovë. Partitë më të mëdha opozitare kërkuan nga Kurti që të shtensjonojë situatën dhe të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, bë veçanti me SHBA-në.
Së fundmi, një kërkesë e qartë erdhi nga Bashkimi Evropian. Presidentja Osmani zhvilloi një takim me presidentin Aleksandër Vuçiq në Moldavi. Nga atje, ku të pranishëm kanë qenë edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman, Olaf Scholz dhe shefi për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell, Kosovës iu kërkua që të organizoi zgjedhje të reja për katër komunat e veriut të vendit.
Dy diplomatët perëndimorë, Mirosllav Lajçak dhe Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë, javën e ardhshme. Një ndër qëllimet e vizitës është shtensionimi i situatës në veri të Kosovës.