Termocentrali, 'Kosova A', KEK Foto: Gentiana Ahmeti, KALLXO.com

Situata në KEK, flet ministrja e Ekonomisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot Korporatën Energjetike të Kosovës.

Rizvanolli tha se aktualisht në KEK janë duke punuar dy blloqe të termocentralit ‘Kosova B’ dhe një bllok i ‘Kosovës A’ me kapacitet 120 deri në 250 megavatë.

Ajo tha se mungesat në orë të caktuar i kanë mbuluar nga Shqipëria.

“Aktualisht jemi në një situatë shumë të mirë, është koha e vitit kur më së paku konsumojmë energji elektrike. Aktualisht i kemi dy blloqe nga “Kosova B” dhe një bllok të “Kosovës A”. Gjatë ditëve të kaluara kemi pasë mungesa. Mungesat janë nga 8 në mëngjes deri në 12 në mbrëmje. Mungesat janë mbuluar kryesisht  nga Shqipëria, sot edhe nesër nuk ka mundur të na ndihmojë për shkak të situatës atje. Sa i përket dimrit që po vjen duhet të jemi të vetëdijshëm që kriza në këtë vit është shumë më e madhe se e vitit të kaluar. A3 është kthyer në punë në kohën më të mirë, ndërsa A4 do të kthehet në punë në fillim të tetorit”, tha ajo.

Rizvanolli tha se çmimet e importit në treg janë shumë të larta.

“Çmimet në treg kanë arritur deri në 1 mijë euro për një megavat orë. Shtetet e rajonit kanë zgjedhur një mundësi për të blerë energji pavarësisht çmimit në treg. Shqipëria shembull kanë shpenzuar gjysmë miliard euro që nga fillimi i krizës energjetike. Ju mediat mund të luani rol që të sjellni një diskutim me qytetarët se deri në çfarë çmimi ata janë të gatshëm që të paguajnë importin e rrymës… Gjatë ditëve të fundit nuk  kemi pasur për import në momentin që të kemi nevojë për import po shpresoj se nuk do të kemi probleme si në muajin gusht” – tha ajo.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot Korporatën Energjetike të Kosovës, bashkë me kryesuesin e bordit të KEK-ut dhe kryesuesin e bordit të KOSTT, Jeton Mehmetin.

Kosova është përballur me reduktime të rrymës elektrike pas njoftimit nga KEDS se nuk ka mundësi financiare që të blejë energji elektrike nga jashtë.

Me kthimin në punë të blloqeve të KEK-ut, situata me energji elektrike në vend është përmirësuar.

Drejtori i KEK-ut Nagip Krasniqi në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se KEK-u ka kapacitet të prodhojë rreth 760 megavatë duke mos përfshirë bllokun A5 që është rezervë. Ndërsa kërkesa për konsum mund të shkojë deri në 1400 megavatë.