Situata në Jarinjë, 06.09.2024 Foto: Adelina Ahmeti/KALLXO.com
Situata në Jarinjë para protestës së thirrur nga qytetarët serbë për t'i bllokuar pikat kufitare në anën e Serbisë
30 minuta para se të nisë protesta e cila është paralajmëruar të mbahet matanë kufirit të Jarinjës në pjesën e Serbisë, qarkullimi i veturave po vazhdon njëjtë ndërsa ekipet e Policisë së Kosovë janë duke vazhduar detyrat e tyre të përditshme.
Në Policinë e Kosovës tashmë ekziston një plan operacional.
Sipas informacioneve që posedon KALLXO.com bllokimi pretendohet të ndodhë në pikën e vjetër kufitare rreth 500 metra larg pikës kufitare Jarinjë.
Tutje, sipas informacioneve që posedon KALLXO.com matanë kufirit pala serbe, pra Policia do të vendos edhe një kordon policor në mënyrë që të mbaj rend në aspektin e sigurisë në territorin e saj.
Në katër pika kufitare, tri që lidhin Kosovën me Serbinë, Jarinjë, Bërnjak dhe Merdarë si dhe ajo tjetra që lidhë Malin e Zi me Kosovën – Kullë, është paralajmëruar se do të bllokohen nga dhjetëra persona.
Kërkesa e tyre është që institucionet që janë mbyllur si të dyshuara për punë si struktura paralele serbe t’u rikthehen qytetarëve serbë, por edhe objekte të tjera që janë mbyllur tashmë e që kanë funksuionuar si posta apo banka serbe.
Madje për këto çështje, Policia ka intervistuar edhe zyrtarë të Listës Serbe duke përfshirë këtu ish kryetarë të komunave: Leposaviq, Mitrovicë Veriore dhe drejtorin për Pensione në Kosovë, Igor Simic.
Thirrja është shpërndarë në rrjetin social ‘Telegram’, ndërsa tutje thuhet edhe se kërkohej nga ata që i bashkangjiten kësaj proteste, që të marrin tenda me vete, ushqim e rroba.
Ndërrimi do të bëhet çdo 12 orë i atyre që do të mbajnë të bllokuar pikën, ndërsa thuhet edhe se pçrveç veturave të emergjencave nuk do të lejohet qarkullim i veturave të tjera.
Kujtojmë që edhe në të kaluarën ka pasur protesta të tilla, të cilat nuk kanë zgjatur shumë, por që kanë bërë që për periudha të ndryshme pikat kufitare të mbylleshin dhe të njëjtat të hapeshin nga organet e rendit.
Protesta me serioze e konsideruar në vitet e fundit sa i takon pikave kufitare është ajo e vitit 2022. Pika kufitare Jarinjë nga Kosova ishte bllokuar edhe me tela me xhemba. Këto i kishin vendosur KFOR ndërsa kishin njoftuar tutje edhe se kishin informacione se grupe kriminale ishin brenda protestuesve në atë kohë.
Gjithashtu, në Jarinjë KALLXO.com kishte raportuar disa herë se persona të dyshimtë të ndryshëm në periudha të ndryshme protestuan, gjuajtën me mjete piroteknike por edhe këndonin kohë pas kohe këngë e thirrje nacionaliste.