Situata në Bërnjak, 06.09.2024, Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com
Gjendja në Bërnjak para protestës së thirrur nga qytetarët serbë për t'i bllokuar pikat kufitare nga ana e Serbisë
20 minuta para se të nis protesta e paralajmëruar nga qytetarët serbë, pika kufitare në Bërnjak momentalisht është e hapur. Automjetet po qarkullojnë në këtë vendkalim.
Ekipi i KALLXO.com raporton nga vendi i ngjarjes se në afërsi të kësaj pike kufitare shihet një automjet i KFOR-it dhe një automjet i EULEX-it, ndërsa Policia e kosovës janë të pranishëm në këtë pikë kufitare.
Vendkalimet Bërnjak, Jarinjë, Merdarë nga ana e Serbisë qendrore dhe vendkalimi Kullë në rrugën Pejë-Rozhajë nga ana e Malit të Zi – janë pikat për të cilat është njoftuar se të njëjtat do të bllokohen nga grupe të ndryshme të qytetarëve serbë.
Një protestë e cila është thirrur për sonte (06.09.2024) e që pritet të fillojë në orën 18:00 do të bëjë që disa nga pikat kufitare të bllokohen. Bllokimi thuhet se do të jetë nga pjesa e territorit të Serbisë.
Kjo protestë është thirur tash e disa ditë përmes rrjetit social “Telegram.” Aty është bërë thirrje vazhdimisht për pjesëmarrje në këto protesta për të bllokuar pikat kufitare nga Serbia me Kosovën.
Ekipi i KALLXO.com është duke qëndruar edhe në pikën kufitare në Jarinjë për të vrojtuar situatën atje për këtë çështje.