Zjarrfikësit, Foto: Shkodrane Dakaj
Situata me zjarre në Kosovë, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave: Nuk ka rrezik në nivel vendi
Lidhur me situatën e krijuar me zjarre në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri, në rajonin e Komunës së Gjakovës “Poligoni i stërvitjes së FSK-së”, Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME) ka dalë me njoftim.
Sipas njoftimit të Agjencisë, sipërfaqet e prekura nga zjarri janë kryesisht sipërfaqe malore në lartësi mbidetare rreth 800 metra deri në 1100 metra.
“Zjarri i paraqitur disa ditë më herët në zonën kufitare Kosovë – Shqipëri, rajoni i Komunës Gjakovës “poligoni i stërvitjes së FSK-s”, është duke u reaguar në bashkëpunim me kapacitetet e KFOR-it, të mbështetur edhe me Zjarrfikësit Komunal dhe të organeve përkatëse, përpjekjet për të shujtuar zjarrin në një sipërfaqe të konsiderueshme malore-kodrinore e cila ka kapluar brezin kufitar, i shpërndarë në një distancë rreth 10 km” – thotë Agjencia në njoftimin e datës 29.07.2024.
Ndërkaq, siç thuhet në njoftimin e tyre, bazuar në dy nivelet e qeverisjes, lokale dhe asaj qëndrore, për periudhën paraprake të muajit qershor dhe korrik të vitit 2024, përveç rasteve të izoluara në zjarre të hapura, fushore dhe malore të menaxhuara nga kapacitetet e komunave të prekura, nuk është paraqitur rrezik në nivel vendi nga kjo situatë.
Ndonëse, sipas tyre, për shkak se konfiguracioni i terrenit në brezin kufitar është me sipërfaqe të mëdha dhe të pjerrëta në të dyja anët e kufirit, e bënë të vështirë qasjen dhe reagimin për shuarjen e zjarrit në lartësi dhe terrene shkëmbore.
Sipas AME-së, zjarrfikësit e Gjakovës janë duke u munduar të veprojnë në disa pjesë të kapluara nga zjarri dhe se shuarja e zjarrit në shumicën e rasteve po bëhet me vegla manuale.
Derisa kapaciteti i KFOR-it me mbështetje nga ajri është ndalur për shkak të servisimeve të mjeteve të transportit nga ajri, njofton AME.
Tutje në njoftim thuhet se deri më 28.07.2024, nga drejtori i Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Komunën e Gjakovës, Haxhi Sejdiu, situata paraqitet nën kontroll në sipërfaqet e zonës “Baba i Bokës”, deri sa në lartësi të bjeshkës, ende ka vatra zjarri të cilët nuk rrezikojnë vendbanime.
Në zona ku zjarri është ende aktiv, zjarrfikësit janë në reagim për ta ndërprerë shtrirjen dhe zhvillimin e zjarrit, ka njoftuar Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave.
Sipas komandantit të Njësisë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Komunën e Gjakovës, Kaqun Lima, pjeset në brezin kufitar Kosovë-Shqipëri jane ende nën kërcënimin e minava të vendosura nga lufta e fundit. Si pasojë e kësaj, sipas Limës, edhe rreziku për reagim të njësive të zjarrfikjes dhe shpëtimit nga toka rritet, sepse ato mina edhe si pasojë e zjarrit kanë shpërthyer.