Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në konferencë për media - 15 prill 2022, Foto: KALLXO.com

Situata me vërshimet, Sveçla thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi vendi po përballet me vërshime të mëdha si pasojë e reshjeve të dendura të shiut.

Sveçla ka thënë se ekipet e menaxhimit të emergjencave që nga orët e hershme të mëngjesit janë në teren dhe kanë reaguar në të gjitha rastet e evidentuara.

“Sapo kam pranuar raportin nga Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave rreth gjendjes së krijuar me ç’rast konfirmohet se në zonën e Dukagjinit kemi dëme të ndryshme nga vërshimet. Momentalisht, situata është duke u menaxhuar dhe është në monitorim të vazhdueshëm nga Qendrat Emergjente në të gjitha komunat”- ka shkruar Sveçla në Facebook.

Duke marrë parasysh situatës së krijuar Sveçla u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, përderisa ka njoftuar se Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie.

“Përballë kësaj situate të krijuar, ju bëj thirrje të gjithëve për kujdes të shtuar. Qendrat Operative Emergjente janë në detyrë dhe në gjendje gatishmërie andaj ju lus të kontaktoni përmes numrit emergjent 112 rreth çdo vështirësie me të cilën mund të përballeni”- ka theksuar ai.

KALLXO.com sot gjatë ditës ka raportuar për vërshime në komunat Skenderaj, Vushtrri, Mitrovicë e Jugut, Pejë e Deçan.