Situata me reshjet, Komuna e Prishtinës thotë se gjendja është e menaxhueshme dhe nën kontroll

Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Ilirik Musliu ka njoftuar se gjendja me reshjet e shiut në kryeqytet është nën kontroll.

Sipas tij, puna e vazhdueshme e kësaj drejtorie, ofroi siguri për qytetarët.

“Në këtë javë pati reshje të mëdha shiu, mirëpo në Kryeqytet situata është e menaxhueshme dhe nën kontroll. Puna e vazhdueshme e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, ofroi një siguri për të gjithë qytetarët” – ka thënë Musliu.

Musliu tutje potencoi se ndërhyrja në pastrim të ujëmbledhësve, deponive ilegale, lumenjve, ndërtimi i mureve mbrojtëse ka ndikuar që të mos ketë dëme në kryeqytet.

“Pastrimi i ujëmbledhësve dhe gypave lidhës me kolektor atmosferik, pastrimi i deponive ilegale përgjatë rrjedhave të lumenjve dhe proçkave, ka ndikuar që vërshimet mos të bëjnë dëme në Kryeqytet. Ndërtimi i mureve mbrojtëse në zona urbane dhe rurale, si dhe gabioneve përgjatë rrugëve ka ndikuar në uljen e rrëshqitjeve të dheut” – shtoi më tej Musliu.

Drejtori i Shërbimeve Publike theksoi se ekipet kujdestare janë në teren dhe po kujdesen që të gjitha rrugët të jenë të kalueshme.

Shumë qytete të Kosovës janë duke u përballur me vërshime si shkak i reshjeve të shiut gjatë fundjavës.

Rajoni më i prekur është ai i Dukagjinit, ku ka edhe më shumë dëme të ekonomive familjare e tokave bujqësore.

Derisa, si shkak i turbullimit të ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, një pjesë e Prishtinës, Fushë Kosova, Drenasi dhe Obiliqi janë duke u përballur me mungesë të ujit të pijshëm.

IHMK: Reshjet e shiut do të vazhdojnë deri sot në mesditë