Ymer Fejzullahu - Kryetar i bordit të ZRrE-së - Foto: Kallxo.com

Situata me energjinë pas vendimit të Apelit, mbledhje me dyer të mbyllura në Komisionin për Ekonomi

Situata e krijuar pas vendimit të Gjykatës së Apelit e cila vërtetoi masën e sigurisë ndaj vendimit të ZRRE-së për tarifat e reja të energjisë pritet që të diskutohet sot në mbledhje me dyer të mbyllura në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

Po ashtu në këtë mbledhje do të bëhet edhe shqyrtimi i raportit me amendamente për projektligjin për markat tregtare. Mbledhja e Komisionit fillon në ora 10:00.

Kujtojmë që Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike ka shtyrë vendimin e datës 8 shkurt të këtij viti i cili parashihte shtrenjtimin e energjisë elektrike.

Sipas njoftimit, ZRRE më datën 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRrE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, njofton ZRRE.

Të mërkurën, Gjykata e Apelit nxjerri një vendim duke e konsideruar si të duhur vendimin e Gjykatës së Prishtinës i cili e kishte pezulluar shtrenjtimin e rrymës deri në nxjerrjen e një vendimi meritor.

Çështja e shtrenjtimit të rrymës ishte diskutuar në masë të madhe që nga fundi i vitit 2021 e deri në muajt e parë të këtij viti, kur ishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë rrymë të paguajnë rrymën me çmim më të lartë.

Pas rritjes së tarifave të energjisë, PDK kishte ushtruar padi kundër vendimit të ZRRE-së, dhe i kishte kërkuar Gjykatës që deri në nxjerrjen e vendimit final, rritja e tarifave të energjisë të mos zbatohej.

Tarifat e reja të energjisë kishin hyrë në fuqi më 9 shkurt 2022. Zyra e Rregullatorit të Energjisë kishte vendosur që konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në muaj nuk do të ketë shtrenjtim të energjisë elektrike, pra të njëjtit do të paguajnë me tarifat aktuale.

Tarifa e ulët për konsumatorët që shpenzojnë nën 800 kilovatë është 2.89 centë (pa TVSh) në tarifën e ulët apo atë të natës kurse 6.75 centë (pa TVSh) në atë të lartën apo të ditës.

Ndërsa për kilovatët e shpenzuar mbi bllokun prej 800 kilovatë, tarifën e lartë apo atë të ditës konsumatorët do ta paguajnë me 12.5 centë ndërsa tarifën e ulët apo atë të natës do ta paguajnë me 5.9 centë.