Situata me COVID-19 në Vushtrri, flet drejtori i Shëndetësisë

 

Situata me pandeminë COVID-19 në komunën e Vushtrrisë është e menaxhueshme dhe gjendja e të infektuarave që janë në vetë izolim në shtëpitë e tyre është stabile, në përjashtim të disa rasteve që janë me shqetësime më të mëdha klinike e të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive. Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, Sylejman Meholli, drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Vushtrrisë.

“Situata deri me tani në Komunën e Vushtrrisë është e menaxhueshme, shtabi emergjent anti Covid- 19 i komunës së Vushtrrisë është duke bërë përpjekje maksimale që të shfrytëzojë gjithë mekanizmat dhe potencialin që ka komuna e Vushtrrisë në mënyrë që të parandalohet përhapja dhe të bëhet menaxhimi sa ma i suksesshëm i pandemisë”, tha Meholli.

Meholli ka shtuar se mos kujdesi i qytetarëve ka bërë që në Vushtrri ditëve të fundit të rritet numri i të infektuarve.

“Ditët dhe javët e fundit kemi pasur raste të shfaqura me numër më të madh në Komunën e Vushtrrisë dhe krejt kjo vije si rezultat i dy elementeve kryesore. Elementi i parë është lehtësimi i masave të lëvizjes ekonomike e sociale dhe elementi i dytë është neglizhenca dhe mos respektimi i rekomandimeve nga ana e qytetarëve”, ka thënë Meholli.

Vizitat e shumta familjare e kanë ndihmuar shpërndarjen e virusit në qytetin e Vushtrrisë.

“Realisht janë evidentuar një numër i madh i vizitave familjare të cilat dëshmohen me anamnezën epidemiologjike e pohojnë vetë të prekurit nga coronavirusi, pra ata potencojnë qartë se kanë pasur kontakte dhe vizita familjare më të afërmit të ndryshëm gjatë kohës së pandemisë dhe në këtë mënyrë duke mos e ditur se janë pozitiv e kanë shpërndarë virusin tek një numër i familjeve”, theksoi Meholli, i cili ka shtuar se vetëdija e menaxhimit të pandemisë duhet të burojë nga vetë qytetarët.

“Asnjë shtet në botë nuk mundë t`i behët mjek, inspektor dhe polic secilit qytetar të vendit të vet, secili qytetar i Republikës, komunës, e ka për qëllim dhe për detyrë të ruaj shëndetin e vet”, theksoi ai.

Meholli ka shtuar se edhe në Komunën e Vushtrrisë sikur edhe në Komunat tjera në të gjitha institucionet publike nuk ofrohen shërbime për qytetarët që nuk posedojnë masa mbrojtëse.