Erseka Hasanaj- Barani, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut

Situata me COVID-19 në Mitrovicën e Jugut, flet drejtoresha e Shëndetësisë

Situata me pandeminë COVID-19 në komunën e Mitrovicës së Jugut është nën kontrollë. Kështu ka deklaruar për KALLXO.com, Erseka Hasanaj- Barani, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës së Jugut.

“Momentalisht situata është stabile prej fillimit te pandemisë, rastin e parë e kemi pas me 30 prill dhe të gjitha rastet e fillimit janë të shëruar ndërsa tash i kemi 15 raste aktive me CoVid-19 në komunën tonë”, ka thënë Erseka Hasanaj-Barani.

Sipas Hasanaj- Barani, në Mitrovicë rastet e reja të infektuar me virus janë raste kontakte me të infektuarit ne komunën e Vushtrrisë.

“I kemi gjurmuar edhe rastet e kontaktit disa prej tyre kanë qenë raste kontakti të infektuarve të komunës së Vushtrrisë ndërsa pjesa tjetër nuk dihet ende burimi i infektimit tek ata familjarë”, tha Barani e cila tha se inspektorët komunal janë duke punuar në parandalimin e përhapjes se virusit.

“Fatmirësisht kemi qenë ndër komunat e fundit që është përhapur edhe rasti i parë, mirëpo edhe me lirimin e masave nga niveli qendror pak a shumë edhe qytetarët janë relaksuar. Mirëpo, kjo nuk do të thotë se nuk duhet të kemi kujdes të shtuar në këtë aspekt”, ka shtuar Barani e cila ndër të tjera ka thënë se do të gjobiten të gjitha lokalet që nuk i respektojnë masat mbrojtëse për CoVid- 19.

Gjithashtu Hasani- Barani ka treguar se shtabi komunal ka vendosur që në institucionet publike komunale do vazhdon respektimi i masave mbrojtëse.

“Shtabi emergjent komunal i komunës së Mitrovicës dje ka mbajtur një takim ku kemi diskutuar edhe për masat që do të mirën në vazhdimësi duke e parë edhe rritjen e numrit të të infektuarve në të gjithë Kosovën, kemi menduar që të paktën të jemi të kujdesem tek mbajtja e distancës dhe mbajtja e pajisjeve mbrojtëse”, potencoi Hasanaj Barani.