Situata me COVID-19, Hoti takoi anëtarët e Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka takuar sot anëtarët e Bordit  të Asociacionit të Komunave të Kosovës, ku bashkëpunimin ndërmjet Qeverisë dhe komunave e vlerësoi si të suksesshëm, dhe njëherit theksoi se janë bashkë e të përkushtuar në përballje me sfidat e krijuara nga pandemia COVID-19.

“Asociacioni i Komunave të Kosovës, në çdo rast ka qenë në bashkëveprim dhe ka mbështetur vendimet e Qeverisë për parandalimin dhe zvogëlimin e pasojave të përhapjes së pandemisë COVID-19”, tha kryeministri Hoti.

Sipas komunikatës së ZKM-së, kryeministri e vlerësoi lart rolin dhe bashkëpunimin efikas me Asociacionin e Komunave të Kosovës edhe me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor në arsimin para universitar.

“Ndër të tjera, kryeministri Hoti i njoftoi të pranishmit për angazhimin e Qeverisë së Kosovës rreth programit për rimëkëmbje ekonomike, duke thënë se ky program do të ndikoj dukshëm në jetën e qytetarëve dhe bizneseve”, vijon komunikata.

Sipas njoftimit, anëtarët e Bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kanë shprehur vlerësimin për bashkëpunimin e mirë me Qeverinë, si dhe janë zotuar për angazhim të përbashkët, në krijimin e një situate sa më të qëndrueshme për zhvillimin e komunave.

Deri më tani në Kosovë, sipas të dhënave zyrtare, me COVID-19 janë infektuar 15 mijë e 574 persona, janë shëruar 13 mijë e 492 pacientë dhe kanë vdekur 625 persona.