Situata me bërllok në Ferizaj, reagon komuna

Komuna e Ferizajt që drejtohet nga Agim Aliu ka thënë se situata me mbeturina po shkon drejt përmirësimit. Në një njoftim, komuna ka thënë se së fundmi ka pasur dyfishim të mbeturinave.

“Gjendja e krijuar së fundmi me menaxhimin e mbeturinave, me ç’rast është dyfishuar konsumi, rrjedhimisht edhe shtimi i sasisë së mbeturinave, nga 100 tonelata në mbi 200 tonelata në ditë, po shkon drejt përmirësimit”, thuhet në njoftim.

KALLXO.com raportoi në vazhdimësi për telashet e menaxhimit të mbeturinave në komunën e Ferizajt.

Komuna e Ferizajt tregoi punët që janë bërë e po bëhen për menaxhim të mbeturinave.

“Për herë të parë, kemi rritur pagat e punonjësve të mirëmbajtjes dhe kemi kryer procedurat për njohjen e stazhit të punës të të gjithë punëtorëve të mirëmbajtjes, kemi bërë pothuajse gati objektin e ri të KRM “Pastërtia” ku shumë shpejt do të dislokohet i gjithë stafi dhe makineritë nga lokacioni aktual të cilin do ta shndërrojmë në park publik”, thuhet tutje në njoftim.

Komuna ka këshilluar qytetarët t’i hedhin mbeturinat në vendet e caktuara e jo në rrugë.

“Hedhja e mbeturinave të bëhet në vendet adekuate e jo kudo nëpër rrugë, mbeturinat të jenë të futura në qese najloni dhe të jenë të mbyllura, mbetjet/mbeturinat inerte, të ngurta (si material ndërtimor, mobilje, teknikë e bardhë etj) duhet të hidhet në zonën e përcaktuar të grumbullimit në deponinë e fshatit Dremjak”, thuhet në fund të njoftimit.

Vazhdon grumbullimi i mbeturinave në oborrin e “Pastërtisë” në Ferizaj (FOTO)

www.kallxo.com

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian.