Situata e sigurisë në vend, Kurti dhe Mehaj takojnë komandantin e FSK-së

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, kanë takuar komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjeneralmajor Bashkim Jashari.

Sipas komunikatës së Qeverisë, në këtë  takim është biseduar për buxhetin e shtuar për mbrojtje për vitin 2022, dhe mbështetjen që Forca e Sigurisë ka nga Qeveria në mënyrë që vendi të ketë ushtri të mirëtrajnuar e të pajisur sipas standardeve të ushtrive moderne të vendeve të NATO-s.

“Diskutuan për situatën e sigurisë në vend dhe në fqinjësi. Po ashtu, për zhvillimet në Ukrainë pas invazionit rus dhe agresionit ushtarak, nga i cili po zbulohen masakra të tmerrshme”, thuhet në komunikatë.

Tutje, sipas komunikatës, kryeministri Kurti dhe gjeneralmajori Jashari kanë folur për planet konkrete drejt plotësimit të objektivave të përbashkëta, për ta bërë FSK-në forcë moderne që është e gatshme për mbrojtjen e vendit dhe kontributdhënëse për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal e global.