
Ilustrim
Siria nis një epokë të re - bota u kërkon rebelëve stabilitet
Sirianët janë zgjuar të hënën plot shpresë, pavarësisht paqartësive për të ardhmen, pasi kryengritësit morën kontrollin e kryeqytetit Damask dhe presidenti Bashar al-Assad u arratis në Rusi – pas trembëdhjetë vjetësh të Luftës civile dhe më shumë se pesëdhjetë vjetësh të sundimit brutal të dinastisë së familjes së tij – shkruan Reuters.
Avancimi i rrufeshëm i aleancës militante, të udhëhequr prej ‘Hayat al-Tahrir al-Sham’ (HTS), ish-organizatë besnike ndaj ‘Al-Qaedas’, shënoi njërën prej pikave më të mëdha të kthesës për Lindjen e Mesme, për breza të tërë. Rënia e Sirisë shënon edhe rënien e një bastioni të Iranit e Rusisë, për të zgjeruar pastaj ndikimin në mbarë botën arabe.
Moska i dha azil Assadit dhe familjes së tij – kanë raportuar mediat ruse dhe Mikhail Ulyanovit, ambasador i Rusisë, në organizatën ndërkombëtare në Vjenë – duke e konfirmuar edhe në kanalin ‘Telegram’.
Qeveritë ndërkombëtare kanë mirëpritur fundin e Qeverisë autokratike të Assadit – duke kërkuar njëherësh stabilitet në Lindjen e Mesme, me zhvillime të reja.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Siria ndodhet në një periudhë paqartësie e rreziku dhe se është hera e parë, pas shumë vitesh, që aty nuk kanë kontroll as Rusia, as Irani e as organizata militante ‘Hezbollah’.
HTS-ja ende konsiderohet grup terrorist në listat e Shteteve të Bashkuara, Turqisë e Kombeve të Bashkuara. Megjithëse, ka disa vite që është munduar të përmirësojë imazhin ‘për të siguruar mbështetje të qeverive ndërkombëtare e të grupeve minoritare brenda Sirisë’.
Rrëzimi i Assadit kufizon aftësinë e Iranit për të shpërndarë armë tek aleatët e tij dhe do të mund t’i kushtonte Rusisë me heqjen e bazës detare mesdhetare. Do të mund të lejonte, gjithashtu, qarkullimin e miliona refugjatëve të shpërndarë për dekada me radhë nëpër kampe të ndryshme në mbarë Turqinë, Libanin dhe Jordaninë – që, më në fund të kthehen në shtëpi.
Kryengritësit përballen me peshën e madhe të rindërtimit e drejtimit të një vendi, pas një Lufte e cila ka marrë qindra-mijëra jetë njerëzish, ka shkatërruar qytete e ekonominë – për shkak të sanksioneve ndërkombëtare. Sirisë do t’i duhen miliarda dollarë për rindërtim.
“Një histori e re, vëllezërit e mi, po shkruhet në mbarë rajonin pas kësaj fitoreje madhështore.” – ka thënë Ahme dal-Sharaa, i njohur më shumë si Abu Mohammed al-Golani, drejtues i HTS-së. Duke folur para një turme të madhe njerëzish në Xhaminë Umajade, të dielën, në Damask – një vend i rëndësisë së madhe fetare – Golani ka thënë se ‘me punë të madhe, Siria mund të kthehet në një pishtar për popullin islamik’.
Golani është një mysliman sunit, që është shumicë në Siri. Por, në këtë vend ka edhe një mori sektesh të ndryshme fetare – përfshirë të krishterë dhe alavi të Assadit, degë e ndarë e islamit shiit.
Kryeministri i Assadit, Mohammed Jalali, ka thënë se është i gatshëm të takohet me Golanin dhe t’ia dorëzojë të gjitha dokumentet e rëndësishme shtetërore; si dhe, t’i ofrojë ndihmë për bartjen e pushtetit.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com