Kampi 'Al Hol' në Siri. Foto: Save the Children

Siri, vrasjet në kampet e të zhvendosurve shtojnë frikën e ringjalles së Shtetit Islamik

Rritja e dhunës në një prej kampeve më të mëdha të personave të zhvendosur në verilindje të Sirisë po ndez frikën se grupi terrorist Shteti Islamik ka një kontroll shqetësues në rajon.

Zyrtarët e grupeve humanitare dhe hulumtuesit thonë se në kampin al-Hol, ku strehohen gati 62,000 gra dhe fëmijë, ka patur të paktën 18 vrasje që nga fillimi i vitit, 12 për të cilave në dy javët e para të janarit.

Sipas një raporti të hënën nga Qendra e Informacionit Rojava (RIC), që mbështet kurdët, të paktën gjysma e vrasjeve ishin ekzekutime në të cilat viktimave u ishte prerë koka dhe se shumë prej sulmeve duket se kanë lidhje me Shtetin Islamik (IS).

“Padyshim, ISIS ka shumë ndikim brenda kampit”, tha për Zërin e Amerikës Charles Flynn, hulumtues me qendrën RIC.

Në një rast, tha zoti Flyn, një të moshuari irakian iu pre koka në publik sepse punonte me grupin Asayish, Forcat Demokratike Siriane (SDF) të cilat kujdesen për sigurinë e kampit al-Hol. Për vrasjet e tjera kanë marrë përgjegjësinë anëtarët aktivë të ISIS që jetojnë aty, tha analisti.

“Duket se ka gjykata dhe këshilla të brendshëm të anëtarëve të ISIS të cilët vendosin mbi fatin e viktimave dhe të tjerëve”, tha ai.

Shtimi i papritur i dhunës i ka alarmuar zyrtarët e Kombeve të Bashkuara, të cilët kanë paralajmëruar se vrasjet “tregojnë një mjedis sigurie gjithnjë e më të paqëndrueshëm”.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thanë se 18 vrasjet e këtij viti bien në kontrast me 35 vrasjet në kampin al-Hol gjatë vitit 2020. Hulumtuesit me grupin RIC thonë se vetëm dhjetorin e kaluar u vranë dy vetë.

Ndikimi që Shteti Islamik po ushtron tek zhvillimet në kampin al-Hol po ashtu ka tërhequr vëmendjen e komandantëve ushtarakë amerikanë.

“Ky është një zhvillim alarmant që mund të ndikojë tek gjeneratat e ardhshme”, tha Gjenerali Keneth “Frank” McKenzie i Komandës Qendrore Amerikane gjatë një bisede virtuale me Institutin për Çështje të Lindjes së Mesme.

“Nëse bashkësia ndërkombëtare nuk gjen një mënyrë për të riatdhesuar dhe riintegruar ata njerëz në komunitetet e tyre dhe të mbështesë programet lokale të pajtimit, ne do të shohim indoktrinimin e gjeneratës së ardhshme të ISIS-it, ndërsa këta fëmijë radikalizohen”, tha Gjenerali McKenzie. “Mos adresimi i kësaj çështje tani do të thotë që ISIS-i në të vërtetë kurrë nuk do të mposhtet.”

Nga rreth 62,000 persona të zhvendosur që ende jetojnë në kampin al-Hol, më shumë se gjysma janë fëmijë nën moshën 12 vjeçare.

“Shtimi i dhunës kohët e fundit nënvizon se kampi nuk është një vend ku mund të rriten fëmijët”, tha për Zërin e Amerikës Danielle Moylan, zëdhënëse e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Kordinimin e Çështjeve Humanitare. “Nevojiten zgjidhje të qendrueshme për të gjithë banorët, qoftë sirianë, irakianë apo nga vende të tjera.”

Të dhëna të zbulimit nga shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara po ashtu kanë shtuar shqetësimet për kampin al-Hol.

“Disa të ndaluar e shohin kampin si qendresën përfundimtare të ‘kalifatit’”, thuhet në një raport të publikuar javën e shkuar. “Të miturit njoftohet se po indoktrinohen dhe përgatiten të bëhen operativë të arshëshëm të ISIL”, vazhdon më tej raporti, duke iu referuar Shtetit Islamik me një prej akronimeve të tjera.

Administrata Autonome për Sirinë Veriore dhe Lindore (AANES) e cila bashkëpunon me SDF për të mirëmbajtur kampin al-Hol, ka punuar për të ndihmuar të kthehen në shtëpitë e tyre 24 mijë sirianë të zhvendosur. Por përpjekjet kanë qënë të ngadalta, me rreth 800 njerëz që u larguan nga kampi në fund të vitit të kaluar./VoA