Siri, 21 jetimë transferohen nga kampi i Al-Holit

Autoritetet kurde kanë transferuar të shtunën 21 jetimë nga kampi i të zhvendosurve Al-Hol, në verilindje të Sirisë, ku jetojnë ndër të tjerë mijëra gra e fëmijë të xhihadistëve të grupit Shteti Islamik (ISIS).

Siç raporton Le Figaro, këta jetimë, kryesisht me origjinë nga Egjipti por edhe nga republika ruse e Dagestanit, janë vetëm një pjesë e 224 jetimëve që gjenden aktualisht në kampin Al-Hol, që menaxhohet nga autoritetet kurde dhe në të cilin, në kushte të rënda, po mbahen 68 mijë persona.

Ata janë transferuar drejt kampit të Roj, në verilindje të Sirisë, i pajisur më mirë, sipas Jaber Mustafa, një përgjegjës i këtij kampi, i menaxhuar po ashtu nga autoritetet kurde.

Në kampin në Al-Hol janë dërguar gratë dhe fëmijët e luftëtarëve të ISIS-it pas evakuimit nga bastioni i fundit i grupit xhihadist, i cili ka rënë nën kontrollin e forcave kurde në mars 2019.

Autoritetet kurde thonë se po mbajnë rreth 12.000 të huaj, prej tyre 4.000 gra dhe 8.000 fëmijë, në tri kampe të të zhvendosurve, raporton Le Figaro.