Analiza gjaku, Foto: Pixabay

Sipërmarrësja Elizabeth Holmes dënohet me 11 vjet burg

Sipërmarrësja Elizabeth Holmes u dënua me më shumë se 11 vjet burg për mashtrimin e investitorëve në përpjekje për t’i bindur ata se kompania e saj e re “Theranos” kishte zhvilluar një pajisje mjekësore revolucionare, që mund të diktonte një sërë sëmundjesh dhe gjendjen shëndetësore, vetëm përmes një analize gjaku.

Dënimi i caktuar të premten nga gjykatësi Edward Davila ishte më i shkurtër se dënimi 15-vjeçar i kërkuar nga prokurorët federalë. Por, dënimi ishte shumë më i ashpër sesa ulja që kishte kërkuar ekipi i saj ligjor për nënën e një djali një vjeçar, e cila është shtatëzënë.

Një juri e shpalli në janar të këtij viti themeluesen 38-vjeçare të kompanisë “Therano”, Elizabeth Holmes fajtore për dy akuza për mashtrim financiar dhe dy akuza për komplot, për të kryer mashtrim financiar.

Ngritja e shpejtë e sipërmarrëses Holmes çoi në shfaqjen e saj në artikuj të shumtë të revistave të njohura të biznesit, ku ajo konsiderohej si një pionere në fushën e teknologjisë, dhe krahasohej me ish-drejtuesin e kompanisë Apple, Steve Jobs.

Propozimi i saj mashtrues tërhoqi një numër investitorësh të famshëm, përfshirë manjatin e programeve kompjuterike, Larry Ellison, atë të medias Rupert Murdoch, dhe familjen Walton, e cila është pronare e kompanisë Walmart.

Me sytë e mbushur me lotë, ajo pranoi para gjykatësit përgjëgjësinë për veprimet e saj. “Pendohem për të gjitha dështimet e mia”, tha ajo.

Gjykatësi i dha zonjës Holmes, e cila është shtatëzënë, më shumë se pesë muaj në liri para se ajo të fillojë dënimin me burg më 27 prill. Ajo lindi fëmijën e parë vitin e kaluar, pak kohë para se të fillonte gjyqi kundër saj./VoA