Sipas aktakuzës ndaj Salih Mustafës, UÇK-ja rrahu kundërshtarë politikë

Aktakuza e konfirmuar ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa, thotë se anëtarë të UÇK-së rrahën dhe poshtëruan kundërshtarë politikë.

Sipas kësaj aktakuze, afërsisht në mes 1 prillit dhe 19 prillit 1999, Salih Mustafa dhe disa anëtarë të tjerë të UÇK-së, ndër të cilët ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, në mënyrë të përsëritur keqtrajtuan të ndaluarit në kompleksin e ndalimit në Zllash.

“Si fizikisht, ndër të tjera me mjete të ndryshme, djegies dhe goditjes me rrymë elektrike, po ashtu edhe psikologjikisht,ndër të tjera përmes kërcënimit me vdekje dhe kërcënimit për lëndim të rëndë fizik, frikësimit, poshtërimit, diskriminimit për arsye politike, kanosjes, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe dhënies së deklaratave dhe pranimit të detyruar ose nën shtrëngim”, thuhet në aktakuzën e publikuar.

Në pikën 22 të aktakuzës thuhet se të ndaluarit u keqtrajtuan fizikisht dhe psikologjikisht në prani të të ndaluarve të tjerë. Sipas aktakuzës, mbi disa prej tyre u urinua në prani të të ndaluarve të tjerë.

Salih Mustafa është arrestuar sot në Prishtinë pasi iu konfirmua aktakuza, ndërsa pas arrestimit është dërguar në paraburgim në Hagë.

Aktakuzën mund ta gjeni KËTU.