Sindikatat e punëtorëve të sektorit publik ‘kërcënojnë’ me greva

Përfaqësues të sindikatave të arsimit, policisë, shëndetësisë, doganës dhe të zjarrfikësve sot kanë zhvilluar një takim me kryeministrin e vendit, Albin Kurtin, në ndërtesën e Qeverisë.

Pas takimit, kryetari i sindikatës së arsimit, Rrahman Jasharaj dhe kryetari i sindikatës së shëndetësisë, Blerim Syla, u deklaruan para mediave, duke thënë se takimi me Kurtin nuk ishte ashtu siç e kishin pritur.

Syla deklaroi se në kërkesën e pesë sindikatave  që të përfshihet kostoja eventuale e Ligjit të Pagave, në buxhetin për vitin 2020,  përgjigjia e kryeministrit ishte ‘gjysmake’.

“Për të mos ardhë deri tek një situatë e kolapsit ne kemi i kemi kërku kryeministrit që të nga garantojë që në këtë projektbuxhet të parashihen kostoja financiare e këtij Ligji për Paga. Ne nuk kemi marrë një përgjigje siç e kemi pritë, kemi marrë një përgjigje gjysmake, nuk e kemi marrë një kosto e cila duhet të jetë për Ligjin për Paga, edhe njëherë po e them, një përgjigje gjysmake, mirëpo kemi marrë premtimin se nëse ky ligj kalon, atëherë qeveria do të ulet, do ta diskutojë dhe të gjejë resurse”, tha Syla para gazetarëve.

Ndërsa kryetari i sindikatës së arsimit, Rrahman Jasharaj, tha se sindikata nuk dëshiron që të kthehet në janarin e vitit 2019, ku kjo sindikatë kishte hyrë në grevë, por sipas tij, nëse vazhdohet kështu grevat janë të pashmangshme.

“Deklarimet e mia se janari mund të kthehet nuk janë kërcënim për askënd, por janë apel për qeverinë që të ketë kujdes, që të mos na kthej në janarin e vitit të kaluar, ku siç e dimë i tërë sistemi arsimor ishte në bllokadë. Kam frikë se nëse vazhdohet kështu, grevat janë të pa shmangshme në sektorin e arsimit dhe po besoj që edhe kolegët e mi janë në hall të njejtë”, tha Jasharaj.

Kryeministri Kurti, sot priti në takim edhe sindikatën e punëtorëve të Trepçës.