Sindikata i raporton Kuvendit për 'keqpërdorimet' dhe 'rrezikun' në Aviacionin Civil

Sindikata e punëtorëve të Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC), kanë marrë pjesë në një takim në Komisionin parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, për të shprehur shqetësimet e tyre. Takimi u zhvillua i mbyllur për media.

Pas takimit, Arianit Dobroshi, udhëheqës i sindikatës ka deklaruar para mediave se kanë kërkuar që të aktivizohet pika 4, nenin 20 i Ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.

“Është një takim që e kemi kërkuar që një kohë, ishte një takim jo i lehtë sepse ashtu siç e kemi shprehë përmes shkresave tona të shumta ka shumë parregullsi, keqpërdorime dhe rrezikim të aviacionit civil. Gjitha këto ia kemi përçuar edhe komisionit. Përgjigja është shumë e qartë, dhe adresa është e qartë – ligji i aviacionit civil neni 20 pika 4 që ish dashtë me u aktivizu kur ka rrezikim kaq të qartas”, ka thënë ai.

Dobroshi ngriti dyshimet se AAC është e paaftë për t’i kryerë detyrat që i besohen me ligj “për shkak të përndjekjes së vazhdueshme”. Sipas tij, për shkak te keqpërdorimeve po rrezikojnë edhe dëmtimin e imazhit të sektorit të aviacionit në nivel ndërkombëtar  me pasoja afatgjate për vendin si dhe rrezikimin e sigurisë së operimeve.

Ai tha se Komisioni nuk ka pasur diçka konkrete për ndonjë veprim të caktuar.

“Kemi realizuar se operimet ajrore në një hapësirë ajrore të Kosovës nuk bëhen sipas rregullave të sigurisë, çështja tjetër është degradimi i vazhdushëm i inspektorëve i aviacionit civil që në mënyrë ditore merren me mbikqyrjen e sigurisë për momentin AAC është e paaftë për ti kryerë detyrat që i besohen me ligj për shkak të përndjekjes së vazhdueshme të drejtorit të përgjithshëm. Ata na kanë premtu që do të punojnë në këtë drejtim, nuk kemi hasë në ndonjë veprim konkret për ndonjë çështje të caktuar por mbetet të shihet”, u shpreh tutje ai.

Më 24 korrik 2022, KALLXO.com ka raportuar se Bordi Mbikëqyrës i Autoritetit të Aviacionit Civil i ka kërkuar Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës që të aktivizojnë pikën 4 të nenin 20 të ligjit për Aviacionit Civil që parasheh hapat kur duhet të shkarkohet drejtori i këtij institucioni.

E këtë kërkesë, bordi mbikëqyrës e ka arsyetuar në një letër 4 faqëshe në të cilën ka listuar katër shkelje që ata pretendojnë që i ka bërë drejtori i këtij institucioni, Bujar Ejupi.

Ky i fundit, i kontaktuar nga KALLXO.com ka thënë shkurt se nuk e komenton letrën e bordit mbikëqyrës.

Në letër, anëtarët e bordit e kanë vlerësuar se drejtori i përgjithshëm ka bërë shkelje të detyrave profesionale dhe atyre ligjore, pasi tregu vazhdon të mos jetë i liberalizuar.

Arsyeja e tretë për shkarkim sipas anëtarëve që e kanë nënshkruar këtë letër është diskriminimi i një pjese të punëtorëve, kryesisht ata që janë pjesë e sindikatës.

Bordi pretendon se drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi me marrjen e mandatit në qershor të 2020 ka filluar ndëshkime të stafit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë duke përfshirë vetëm stafin e anëtarësuar në Sindikatën e Punëtorëve të AAC-sl ndërsa ka favorizuar të tjerët, jo anëtarë të sindikatës.

“Ne si bord, kemi sugjeru inicimin e procedurës disiplinore ndaj Zyrtares Ekzekutive për shkak se ajo nuk ka përmbushur obligimet e saj ndaj Bordit,  ndërsa DP (drejtori i përgjithshëm) ka amnistuar shkeljen. Zyrtarja nuk është anëtare e Sindikatës”, vazhdon letra.

Sipas Ligjit për Aviacion Civil, transportuesit e jashtëm ajror komercial mund ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre për në Kosovë, nga dhe përmes Kosovës, e të cilat duhet të miratohen dhe rregullohen nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Por sipas bordit mbikëqyrës të AAC-së, drejtori i përgjithshëm, Bujar Ejupi, ka lëshuar 16 leje GAT-VFR për një kompani dhe 16 leje të tjera GAT – VFR për një transportues tjetër ajror komercial ndonëse ato kanë transportuar pasagjerë, kompanitë do të duheshin të trajtohen si transportues ajror komercial.

“Drejtori i Përgjithshëm, Bujar Ejupi ka bërë shkelje dukë lëshuar 30 leje në kundërshtim me legjislacionin në fuqi dhe ka ndërhyrë në kompetencat e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Me këto veprime, z. Ejupi ka rrezikuar edhe sigurinë e aviacionit civil në Republikën e Kosovës”, thuhet në shkresën e Bordit.

Bordi u ka rekomanduar, kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, Komisionit për Planifikim dhe Zhvillim si dhe Auditorës së Përgjithshme që të marrin parasysh shkeljet e pretenduara dhe të ndërmarrin menjëherë veprime.

Për letrën 6-faqëshe të bordit të AAC-së, KALLXO.com ka kontaktuar me Qeverinë por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.