Sindikata e Zjarrfikësve: "Shokues" vendimi për shfuqizimin e Ligjit për Paga

Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës, Muharrem Beka, përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’ e ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e Ligjit për Paga.

Beka ka shkruar se zjarrfikësit përmes këtij Ligji kanë shpresuar që të ndërpriten diskriminimet sa i përket koeficientëve të pagave, që sipas tij, zjarrfikësit e kanë më të ulëtin në nivel vendi.

“Për herë të parë diçka pozitive ishte bërë për zjarrfikësit, ishte Ligji i Pagave. Zjarrfikësit e Kosovës edhe një herë u diskriminuan dhe u dëmtuam, por do të jemi këmbëngulës në kërkesat e drejta dhe të bazuara në ligje”, ka shkruar Beka.

Ai po ashtu ka shkruar se deri kur do të jetë kjo formë e papërgjegjësisë, pasi sipas tij, zjarrfikësit janë pa status juridik, pa definim të kompetencave menaxhuese dhe pa buxhet, tash e disa vjet.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka shfuqizuar Ligjin për pagat.

Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.

Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.