Sindikata e Telekomit paralajmëron greva e protestë nëse dështon hapja e xhirollogarive

Sindikata e Telekomit të Kosovës ka paralajmëruar grevë të përgjithshme dhe protestë para Qeverisë, nëse dështojnë hapja e xhirollogarive dhe fillimi i operimit normal të ndërmarrjes gjatë kësaj jave.

FSP-PTK përmes një njoftimi në Facebook kanë njoftuar se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre do të protestojnë në orën 13:00 para Qeverisë dhe do të fillojnë po atë ditë me greva.

Sindikata ka shkruar se këtë vendim e kanë marrë pas komunikimeve të vazhdueshme me kryeministrin Avdullah Hoti  dhe ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit Blerim Kuçi dhe premtimet qe brenda dy apo tri ditëve do të zgjidhet përfundimisht kontesti me Dardafon dhe Telekomit të Kosovës.

“Këshilli i grevave për shkak të gjendjes së krijuar me COVID-19 dhe pas kërkesave që t’i jepet hapësirë  dialogut ka pranuar që edhe kjo javë të jetë javë e negociatave përfundimtare për gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme për Telekomin e Kosovës” deklarohet në njoftim.

Dy kompanitë më të mëdha në Kosovë, Telekomi dhe Trepça, para më shumë se dy javë kanë përfunduar me llogari bankare të bllokuara, për shkak të borxheve të akumuluara ndër vite.

Telekomi i Kosovës i ka borxh mbi 25 milionë euro kompanisë Z-Mobile për shkak të mospërmbushjes së një kontrate nga ana e Telekomit. Ndërkaq, ndërmarrja Trepça ka një borxh prej rreth pesë milionë euro ndaj Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS) dhe operatorëve tjerë.

Telekomi në korrik kishte  arritur marrëveshje që të zhbllokojë llogaritë bankare të pasi të njëjtat ishin bllokuar nga përmbaruesi për të realizuar borxhin prej 26 milionë euro për kompaninë Z-Mobile.

Telekomit të Kosovës i ishin bllokuar llogaritë me datën 15 korrik, pasi  Gjykata Themelore Prishtinë ia kishte njohur të drejtën kompanisë “Dardafone.net LLC” për përmbarimit (realizimin) e borxhit milionësh duke ia refuzuar kundërshtimin e parashtruar nga Telekomi i Kosovës.