Sindikata e Telekomit kërkon anulimin e vendimit për ulje të pagave

Në një reagim, Sindikata Profesioniste e Telekomit të Kosovës ka reaguar ndaj uljes së pagave duke kërkuar anulimin e këtij vendimi derisa të marrë vendim Gjykata Kushtetuese për pagat e zyrtarëve civil.

Sindikata përmes një reagimin në Facebook kanë shkruar se nuk do të bëjnë pazar me uljen e pagave me përqindje që sipas tyre ishte precizuar në e-mailin e udhëheqësve, të cilës e-mail i është referuar i tërë reagimi.

Sindikata përmes reagimit ka thënë që vazhdimisht kanë kërkuar dhe përkrahur ristrukturimin e drejtorive dhe pozitat e shumëfishta, por nuk do ta përkrahin zbritjen e pagave.

Ata tutje thonë që vendimi i bordit është i dëmshëm dhe është marrë në kohën kur stafi është duke punuar nga shtëpia dhe i kanë të pamundura protestat dhe grevat.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Bordin Drejtues edhe përmes telefonit dhe shkresave, por të njëjtit nuk kanë qenë të qasshëm.

Reagimi i plotë:

Sot me datën 13.05.2020 është dërguar një e-mail në TK-Komplet, ndër të tjera është cituar: Duke e konstatuar këtë situatë dhe pasi që kam diskutuar hapur dhe gjatë me të gjitha palët e interesit (punëtorët, sindikatat e pavarura të Telekomit të Kosovës, menaxhmentin) i jam drejtuar Bordit të Përkohshëm të Drejtorëve (mbledhja nr. 71)…

FSP-PTK as dje, as sot, dhe as nesër nuk do te bëj asnjë pazar në kurriz të punëtorëve për zbritje e pagave me përqindje siç është precizuar ne e-mail.

FSP-PTK ne vazhdimësi e ka kërkuar dhe përkrahur ristrukturimin e mirëfillte duke i eliminuar Drejtoritë e panevojshëm dhe pozitat e shumëfishuara por asnjëherë zbritjen e pagave të punëtorëve.

BiD i përkohshëm së bashku më Menaxhmentin kanë marrë këtë vendimi të dëmshëm për kompaninë dhe punëtoret pa i marrë për bazë Ligjin e Punës, Kontratën Kolektive të nënshkruar mes FSP-PTK dhe Telekomit me nr. 01-3207/19 dt.31.05.2019 (ka efekt juridik 3 vjet) si dhe Kontestimin e Ligjit të ri për paga, përmes Avokatit të popullit me nr.568/2019 dt.04.11.2019, gjithashtu ky vendim është marrë në kohen kur një pjesë e punëtoreve janë duke i kryer punët nga shtëpitë dhe punëtoret nuk mund t’i shprehin pakënaqësitë (protesta dhe greva) për shkak të Pandemisë.

FSP-PTK kërkon qe ky vendim i Bordit të Drejtorëve të Përkohshme TË ANULOHET MENJËHERË dhe të mos diskutohet ulja e pagave në këtë kohë Pandemie (Covit-19), gjithashtu të pritet deri në shpalljen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese për Ligjin e pagave.

FSP-PTK ju garanton që NUK ka asnjë lloje marrëveshje dhe NUK do të diskutojnë KURRË më Menaxhmentit ose BiD për uljen e pagave, ndërsa vendimin e sotëm do të kontestojmë në Inspektorat të punës dhe Gjykata.