Sindikata e Shëndetësisë për anulimin e Ligjit për Paga: Le të përballen Kushtetuesja e Parlamenti me pandeminë
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, në një përgjigje për KALLXO.com është shprehur i zhgënjyer në lidhje me shfuqizimin e Ligjit për Paga nga Gjykata Kushtetuese.
Syla ka thënë se në këtë rast ka fituar mafia.
“Pas mbledhjes së kryesisë do të tregojmë për hapa të mëtutjeshëm. Janë diku rreth 62 mijë deri në 70 mijë punëtorë të atakuar nga ky vendim. Këtu ka fitu mafia, kjo është e qartë. Kanë fitu bordet, kanë fitu ata që janë mësu me fitu në kurriz të popullatës dhe disa të manipuluar të tjerë prej politikës”, ka thënë Syla përmes telefonit.
Ai ka thënë se nesër do të mblidhen Sindikatat e Arsimit, Doganave, Policisë e të Zjarrfikësve dhe do të dalin me qëndrime.
“Nëse pyetem unë personalisht, çështjen e pandemisë ia kisha lënë Gjykatës Kushtetuese dhe Parlamentit, le të përballen ata”, ka thënë Syla.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës sot ka shfuqizuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.
Sipas Gjykatës, Ligji për Pagat në Sektorin Publik, në tërësinë e tij, nuk është në përputhshmëri me Kushtetutën.
Prandaj e ka shpallur të pavlefshëm atë dhe ka shfuqizuar vendimin për caktim të masës së përkohshme të 12 dhjetorit 2019, si dhe vendimin për vazhdim të masës së përkohshme të 30 marsit 2020.