Jusuf Azemi - Foto: Fatrion Ibrahimi/Kallxo.com

Sindikata e sektorit privat: Kur rritet paga në sektor publik, automatikisht duhet të rritet edhe në sektorin privat

Kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi në një bisedë telefonike ka komentuar çështjen e vlerës së koeficientit të pagave që është caktuar sot, e që për këtë vit do të jetë 105 euro.

Ai ka thënë se ndonëse nuk kanë të bëjnë ligjërisht me këtë ligj, prapë kur të rritet paga në sektorin publik, duhet të rritet edhe në atë privat.

“Ligjërisht ne nuk kemi të bëjmë asgjë me ligjin në fjalë, por që ne kemi lidhje me të sepse në moment kur rritet paga në sektor publik në mënyrë automatike duhet me u rritë edhe në sektor privat” – ka thënë ai.

Tutje Azemi ka thënë se po sheh një shqetësim të punëtorëve tek sektori publik, pasi sipas tij ka gjasë që 50 për qind e punëtoreve të sektorit publik do të paguhen më pak sesa që janë paguar, ndonëse ai ka thënë se nuk ka ndonjë kalkulim të saktë.

“Personalisht nëse më pyet, mendoj që së paku vlera e koeficientit minimale duhet të jetë 115 eventualisht 120” – ka thënë ai.

Madje Azemi ka treguar se në takimet që i ka pasur me kolegët e tij para se të përcaktohet vlera e koeficientit, edhe ata ka thënë se kanë pritur që minimumi i vlerës të të jetë 115 euro.

“Çka po mundem me vërejt, gjithherë po flas jo zyrtarisht, pagat janë rrit tek njerëzit që kanë funksione e të cilët pagat e tyre edhe në të kaluarën nuk kanë qenë të vogla” – ka thënë Azemi.

Kryesindikalisti i sektorit privat tutje ka thënë se në dy apo tri ditët e kaluara kanë pasur në plan që ta thërrasin një konferencë për media, ku sipas tij do të shtjelloheshin të gjitha çështjet.

“Meqë dje pati takime të rëndësishme dhe ne mendojmë që nesër ose pasnesër do të kemi një konferencë për media” – ka thënë ai.

Tutje Azemi ka thënë se kërkesat e tyre karshi qeverisë dihen, e për të cilët ka thënë se janë ato që janë premtuar gjatë fushatës zgjedhor.

Azemi tutje ka thënë se këto kërkesa e këto premtime nga ardhja në pushtet e kësaj qeverie nuk kanë lëvizur për një milimetër, madje ai tha se asnjë reagim pozitiv nuk është bërë.

Koeficienti është bërë sot publik nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se në bazë të llogaritjeve të Ministrisë së Financave vitin e ardhshëm vlera e koeficientit do të jetë 110.

Ligji për Pagat në sektorin publik është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës, me 22 dhjetor 2022. Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka dekretuar më 5 janar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Projektligji i cili ka nxitur reagime tash e sa muaj, më 22 dhjetor 2022, ka marrë mbështetjen e shumicës së deputetëve, pro të cilit kanë votuar 63 deputetë.

Në votimin e dytë të Projektligjit për paga, deputetët e tri partive opozitare PDK, LDK dhe AAK nuk morën pjesë ndonëse ishin të pranishëm në sallën e parlamentit. Kritikat e tyre, lidheshin kryesisht me mos caktimin e vlerës së koeficientit.

Vlera e koeficientit për paga në sektorin publik këtë vit do të jetë 105 euro