Sindikata e RTK-së: Drejtuesit e televizionit publik po tentojnë të zgjedhin në krye të financave një menaxher restauranti

Sindikata e Pavarur e RTK-së (SPRTK) thotë se drejtuesit e televizionit publik të Kosovës po tentojnë ta zgjedhin në krye të financave dhe administratës së RTK-së një menaxher restauranti.

SPRTK-ja përmes një njoftimi e ka quajtur skandaloz këtë veprim, ka kërkuar të anulohet ky konkurs dhe të hetohet nga Prokuroria.

“Nëse kjo ndodhë, atëherë ky person do të ishte përgjegjësi kryesor për buxhetin prej rreth 13 milionë euro, për kontratat e 1 mijë të punësuarve, për të drejtat ligjore e autoriale, për ligjin, statutin dhe rregulloret e RTK-së”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre, Sindikata e ka identifikuar këtë parregullsi dhe kjo ka të bëjë me konkursin për pozitën Udhëheqës i Shërbimeve të Përbashkëta, ku hyjnë njësitë më vitale të RTK-së, siç janë Financat, Administrata, Burimet Njerëzore, Zyra ligjore, etj.

Bazuar në njoftim, në konkursin për këtë pozitë kanë aplikuar tre kandidatë, dhe sipas informatave që posedon Sindikata asnjëri nga ta nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit.

“Dy prej kandidatëve që kanë aplikuar për këtë pozitë janë të kualifikuar për histori dhe gazetari, ndërsa kandidati i tretë ka përvojë në menaxhim të restoranteve”, thuhet në njoftim.

SPRTK-ja ka thënë se sipas ligjeve të aplikuara në Kosovë, konkursi shpallet i pavlefshëm nëse nuk aplikojnë së paku tre kandidatë që i plotësojnë kushtet e kërkuara me konkurs.

Sipas tyre këta aplikues nuk kanë plotësuar këto kushte që kërkohen në konkurs:

Kualifikim superior profesional në drejtimin juridik apo në menaxhim biznesi;                            

Të paktën pesë vjet përvojë pune në menaxhimin e mediave apo fushave tjera relevante (përparësi kanë kandidatët me përvojë më të gjatë).

Bazuar në kriteret e përcaktuara, sipas SPRTK-së ky konkurs do të duhej të anulohej, dhe jo të procedohej tutje siç ka vepruar Menaxhmenti i RTK-së, duke i ftuar kandidatët që t’i nënshtrohen testit me shkrim i cili u realizua dje.

“Paligjshmërisë së këtij procesi i dha vulë mosgatishmëria e Menaxhmentit për t’i lejuar qasje përfaqësuesit të Sindikatës në dosjen e aplikantëve”, shkruhet tutje.

Sipas Sindikatës, prej funksionalizimit të ligjit të Punës dhe Kontratës Kolektive të RTK-së, kjo është hera e parë që një Menaxhment i RTK-së, pasi e fton Sindikatën që ta vëzhgojë procesin e konkursit, nuk i ofron asaj qasje në dokumentacionin e aplikantëve.