ILUSTRIM

Sindikata e QKUK-së proteston të martën

Sindikata e Qendrës Klinike Universitare (QKUK) ka vendosur që të mbajë një protestë paralajmëruese 30 minutëshe, para Klinikes Emergjente të QKUK të martën më 26 nëntor , në orën 10:00.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Xhemajl Selmani, kryetar i Sindikatës.

Sipas tij arsyeja e kësaj proteste është irritimi ndaj sulmeve të mjekëve në vendet e tyre të punës.

Selmani ka thënë po ashtu se kërkesë e tyre është që të mbrohen ligjërisht, trajtohen si shërbyes civil dhe sipas ligjit për shërbyesit publik dhe sulmuesit ndaj mjekëve të trajnohen me kodin penal të Republikës së Kosovës.

Selmani ka treguar po ashtu se janë katër raste të sulmeve të mjekëve, të cilat po trajtohen përmes Odës së Mjekëve, ndërsa protesta vjen pas sulmeve ndaj mjekëve në Prishtinë dhe Ferizaj, derisa ata po ofronin trajtim shëndetësor.

Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka reaguar për sulmin ndaj mjekut Bujar Gashi nga një pacient. Gashi është specializant i ortopedisë, dhe është sulmuar fizikisht nga një pacient në vendin e tij të punës, derisa po ofronte shërbime kujdestarie.

Po ashtu, edhe Oda e Mjekëve të Kosovës ka reaguar ndaj sulmeve që i janë bërë mjekut Bujar Gashi në vendin e tij të punës.