Sindikata e Punëtorëve të RTK-së u takua me kryetarin e BSPK-së
Përfaqësuesit e Sindikatës së Punëtorëve të Radiotelevizionit të Kosovës janë takuar me kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Atdhe Hykollin.
Në këtë takim thuhet se janë diskutuar sfidat me të cilat po përballet mediumi publik.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka thënë se Hykolli është njoftuar me këto sfida, e të cilat, sipas SPERTK, janë mosmiratimi i Ligjit të ri të RTK-së, mosndërtimi i objekteve të reja, mungesa e financimit të pavarur të RTK-së, shkurtimi i buxhetit nga institucionet e Kosovës në rreth 2.1 milionë euro, për të cilën thuhet në njoftim se ka krijuar vështirësi për transmetuesin publik.
“Kryetari Hykolli po ashtu u njoftua edhe për ndërprerjen e kontratave mbi vepër, dhe për risistemimin e paralajmëruar nga ana e Bordit të RTK-së pasi të funksionalizohet Menaxhmenti i ri i RTK-së”, është thënë tutje në njoftim.
Në njoftim është treguar se Hykolli ka premtuar mbështetje të çfarëdo procesi që ka të bëjë me mbrojtjen e të gjithë punonjësve të RTK-së dhe se ai është duke i ndjekur me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet në RTK.
Në fund të këtij njoftimi është treguar se SPERTK do t’i monitorojë nga afër të gjitha proceset e paralajmëruara dhe risistemimet e paralajmëruara dhe se kjo sindikatë do të kujdeset për punëtorët, kontratat dhe se do të mbrojë të drejtat e secilit punonjës në RTK.
“Në momentin që do të hasim gjëra që bien ndesh me ligjin, do të reagojmë publikisht dhe çdo çështje do ta dërgojmë tek organet kompetente. SPERTK nuk e mbron paligjshmërinë, por as degradimin ose çfarëdo forme që bie ndesh me Ligjin e RTK-së, kontratën e secilit punonjës dhe rregulloret e brendshme”, është shtuar tutje.